Homazhe për viktimat në Rezallë ka bërë edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili ka thënë se familjarët presin që institucionet e Kosovës të bëjnë më shumë për familjet dhe për vendin.
Ai u shpreh se kjo ngjarje mbetet një ndër më të rëndat që ka përjetuar populli shqiptar, duke kërkuar më shumë angazhim institucional për familjarët e viktimave dhe për vendin.
Duke folur për praninë e institucioneve shtetërore në këtë përvjetor, Lushtaku kritikoi mungesën më të madhe të përfaqësuesve institucionale, duke theksuar se këto vende nuk duhet të vizitohen vetëm në kohë fushatash.
“Ky është edhe problemi më i madh, që ne nuk duhet me ardhë këtu vetëm kur kemi nevoje me lyp votë. Po unë mendoj që këtu duhet me ardh nganjëherë edhe me kërkuar forcë, me pa çka ka ndodhe në këtë vend. Nëse t’i e merr një rrugë prej Skenderajt me shku deri në Prishtinë, ke të vrarë edhe në shumë familje edhe në Shkabaj edhe në të tjerat. Domethënë, nëse ti vërtet e ndjen atë që ka ndodh këtu , me siguri që sot ish dashtë me qenë edhe partitë politike, po edhe institucionet e Kosovës, sepse në fund të fundit lufta ka ndodh për institucione, ka ndodhe për këtë vend “, u shpreh Lushtaku.
Sot bëhen 27 vjet nga masakra e Rezallës së Skenderajt, ku nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin munduar t’i zhdukin.
Një pjesë e trupave u gjenden në Rudnicë të Rashkës dhe iu dorëzuan familjarëve.Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj.
Nga masakra e Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë. Kjo masakër konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë luftës në Kosovë. /KosovaPress/