Ekipet e shpëtimit janë duke i vazhduar kërkimet të shtunën herët për një anëtar të ekuipazhit amerikan, i cili është zhdukur pasi avioni luftarak amerikan u rrëzua mbi Iran. Ky ishte një nga dy avionët e forcave amerikane që thuhet se u goditën dhe u rrëzuan në rajon një ditë më parë.
Një zyrtar amerikan i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se një anëtar i ekuipazhit është gjetur, ndërsa kërkimet po vazhdojnë për anëtarin e dytë, pas rrëzimit të avionit të parë amerikan nga zjarri i armikut qëkurse filloi lufta në fund të shkurtit.
Avioni i rrëzuar ishte F-15E, me dy ulëse.
Më vonë, një zyrtar amerikan tha se një tjetër avion luftarak i Forcave Ajrore të SHBA-së, një avion sulmues A-10, u rrëzua në Gjirin Persik dhe se piloti i vetëm në atë incident u shpëtua. Hollësi të plota nuk janë dhënë deri tani.
Mediat shtetërore iraniane gjithashtu shkruan për rrëzimin e të dy avionëve.
Zyrtarët iranianë thanë se edhe ata po kërkonin anëtarin e zhdukur të ekuipazhit të avionit të parë dhe u bënë thirrje qytetarëve t’i njoftojnë autoritetet rreth çdo informacioni që mund të çojë në kapjen e aviatorit.
Zyrtari amerikan që foli për REL-in nuk dha hollësi rreth misionit të shpëtimit në Iran.
Ushtria amerikane nuk ka komentuar, por presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i tha NBC News se rrëzimi i avionit nuk do të ndikojë në bisedimet me Iranin.
Trump po ushtron trysni vazhdimisht ndaj Teheranit për ta pranuar një marrëveshje për paqe me SHBA-në, të cilën drejtuesit e regjimit e kanë hedhur poshtë deri më tani.
Nëse një anëtar i ekuipazhit kapet nga forcat iraniane, kjo do të rrisë tensionet tashmë të larta dhe ka të mundësi t’i ndërlikojë përpjekjet e SHBA-së për t’i rrënuar plotësisht asetet ushtarake të Teheranit dhe për ta detyruar regjimin t’i pranojë kushtet e paqes të paraqitura nga Trumpi.
Izraeli ka shtyrë sulmet e planifikuara ndaj Iranit për të mos ndërhyrë në përpjekjet e kërkimit për anëtarin e ekuipazhit amerikan, u thanë zyrtarë perëndimorë gazetarëve gjatë një telefonate.
Strategjia e kërkim-shpëtimit
I pyetur se çfarë do të përfshinte një operacion i mundshëm kërkim-shpëtimi, Richard Allen Ëilliams, kolonel në pension i ushtrisë amerikane dhe ish-zyrtar i Divizionit të Investimeve të Mbrojtjes në NATO, i tha REL-it se misione të tilla zakonisht janë shumë të bashkërenduara dhe të mbrojtura fort.
Ai shpjegoi se komandantët ka të gjasa të vendosin një avion të dedikuar për mbikëqyrje ajrore për ta mbikëqyrur operacionin, i mbështetur nga mjete sigurie ajrore dhe forca tokësore të afta për të ofruar mbështetje me armë zjarri, nëse është e nevojshme.
Këto njësi do të punonin për të siguruar vendin e rrëzimit ndërsa ekipet e shpëtimit i afrohen sinjalit GPS të avionit të rrëzuar.
Avionë shtesë dhe burime rezervë do të qëndronin në gatishmëri për t’iu përgjigjur shpejt çdo përshkallëzimi ose komplikimi, shtoi ai.
Foto dhe video
Burime iraniane publikuan fotografi dhe video të asaj që pretenduan se ishte dëshmi e incidentit.
“Forcat ushtarake kanë nisur një operacion kërkimi për të gjetur pilotin luftarak amerikan që u godit më herët sot”, raportoi agjencia iraniane e lajmeve Fars, e afërt me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Derisa avionë ushtarakë amerikanë janë rrëzuar ose goditur nga raketa apo dronë iranianë kur ndodheshin në tokë që nga shpërthimi i luftës më 28 shkurt, rrëzimi i avionit luftarak, nëse konfirmohet zyrtarisht, do të ishte rasti i parë i raportuar i një avioni luftarak amerikan i rrëzuar nga zjarri i armikut.
Më 12 mars, gjashtë pjesëtarë të shërbimit amerikan u vranë kur një avion cisternë për furnizim me karburant, KC-135, u rrëzua pas një përplasjeje në ajër me një tjetër avion furnizimi.
Pak më shumë se dy javë më vonë, më 27 mars, një sulm me raketa dhe dronë iranianë goditi bazën ajrore Prince Sultan në Arabinë Saudite, duke plagosur të paktën 12 trupa amerikane dhe duke dëmtuar rëndë të paktën dy avionë furnizimi ajror, KC-135.
Tre avionë McDonnell Douglas F-15E Strike Eagle të Forcave Ajrore të SHBA-së u rrëzuan gabimisht mbi Kuvajt më 2 mars nga mbrojtja ajrore kuvajtiane. Gjashtë anëtarët e ekuipazhit u hodhën me parashutë dhe shpëtuan të sigurt në Kuvajt.
Irani kryen sulme në gjithë rajonin
Raporti për rrëzimin erdhi teksa Irani nisi sulme në gjithë Lindjen e Mesme të premten, duke vënë në flakë pjesë të një rafinerie të madhe nafte në Kuvajt dhe duke shkaktuar reagime të mbrojtjes ajrore në gjithë Gjirin.
Rafineria është shënjestruar disa herë që nga fillimi i luftës dhe kompania shtetërore Kuwait Petroleum Corporation tha se zjarrfikësit po punonin për të shuar disa zjarre të shkaktuara nga sulmet.
Infrastruktura e energjisë elektrike, ujit dhe energjisë së rinovueshme në Kuvajt u godit gjithashtu në këto sulme.
Arabia Saudite tha se kishte shkatërruar disa dronë iranianë, sirenat e alarmit ajror u dëgjuan në Bahrejn, mbrojtjet u aktivizuan në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli raportoi për sulme me raketa nga Irani.
Autoritetet në Abu Dabi në Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se një shtetas egjiptian u vra dhe të paktën 12 njerëz të tjerë pësuan lëndime “të lehta deri në mesatare” të premten nga sulmet ajrore iraniane.
Zyrtarët thanë se shtatë shtetas nga Nepali dhe pesë shtetas indianë u plagosën.
Irani ka vazhduar ta shënjestrojë infrastrukturën energjetike në gjithë Gjirin, si dhe po ushtron trysni edhe mbi rrugët detare përmes Ngushticës strategjike të Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale të naftës dhe gazit në kohë paqeje.
Tregjet e naftës kanë reaguar ndjeshëm duke rritur çmimet. Transporti detar përmes ngushticës, dikur një korridor i qëndrueshëm për tregtinë globale, është ndërprerë pothuajse plotësisht.
Trump ka thënë se nuk është përgjegjësi e Shteteve të Bashkuara të rihapë rrugën ujore, duke u bërë thirrje vendeve që varen nga kjo rrugë të ndërmarrin vetë veprime.
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...