Deputeti nga radhët e LDK-së, Lutfi Haziri ka folur rreth procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.
Ai tha se Kosova tash e një kohë është në një krizë të brendshme politike, shkruan Klankosova.tv.
“Jemi në krizë të brendshme, jemi mbyllur në krizën e brendshme politike. E dimë që jemi në orët e fundit të mandatit të presidentes së Republikës së Kosovës dhe fillimit të krizës së re për zgjedhjen e presidentit e cila ka me prekë edhe ekzekutivin edhe jetën e qytetarëve”, tha Haziri në Rubikon.
Tutje, ai tha se synimi i Lëvizjes Vetëvendosje që nga viti i kaluar ishte që në vendin e ushtruesit të detyrës së presidentit të vendit të caktohej një përfaqësues nga kjo parti.
“Prej 9 shkurtit është synuar ushtrimi i detryës me një përfaqësues të Vetëvendosjes në Presidencë, ky ka qenë synim që tash po del, po faktohet. Kriza e vitit të kaluar me zgjedhjen e kryetares e cila arriti me u zgjedh me një proces të ri zgjedhor përmes 28 dhjetorit dhe synimi ka qenë që në këtë kohë kur të vjen, kur të mungon Vjosa Osmani, Albulena Haxhiu me ushtru detyrën e presidentes dhe me menaxhu një proces të caktuar”.
Haziri tha se Lidhja Demokratike e Kosovës ishte shprehur e hapur për bashkëpunim, megjithatë sipas tij Kurti nuk kishte folur asnjëherë për emër të përveçëm për çështjen e presidentit.
“Tani ne jemi ofru me bashkëpunu si LDK në procese politike, me ne Kurti nuk ka folur asnjëherë për emra të përveçëm për president dhe nuk ka fol asnjëherë për ndarjen e ekzekutivit. Ne kemi ndërtu bashkëpunim për proces politik në rastin e zgjedhjes së presidentit në kalendarin që Kurti e ka imponuar”.
Në fund, Haziri konfirmoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku do të takohet të hënën me kryeministrin e vendit, Albin Kurti për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.
“Jemi në një rrethanë kur të hënën e ardhshme Abdixhiku do të takohet paradite me Kurtin për të biseduar për procesin e ri për rifillimin e procesit për zgjedhjen e presidentit të vendit”, përfundoi Haziri.
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...