Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar të rënët në masakrën e Kralanit, duke nderuar viktimat dhe dëshmorët që ranë për lirinë e vendit.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook tha se 3 prilli i vitit 1999 mbetet një nga ditët më të rënda të luftës kur në Kralan të Gjakovës forcat serbe masakruan civilë, përfshirë edhe fëmijë.
“3 Prilli i vitit 1999 mbetet një nga ditët më të rënda të luftës, kur në Kralan të Gjakovës, forcat kriminale të regjimit të Millosheviqit masakruan 86 shqiptarë të pafajshëm, shumica të rinj në moshë, ndërsa 11 prej tyre ishin të mitur. Po atë ditë, me pushkën e lirisë në dorë, ra heroikisht bashkëluftëtari Arton Mehmetaj, dëshmori i tretë nga familja heroike Mehmetaj e Gllogjanit. Përkrah tij, deri në frymën e fundit, ra edhe Halit Coka nga Kukësi”.
Haradinaj tha se kujton me nderim bashkëluftëtarët: Visar Myftari, Fehmi Shala, Kujtim Qallakaj, Ilir Hoxha, Mustafë Çekaj, si dhe gjithë dëshmorët e rënë në fillimin e prillit 1999.
“Liria erdhi me çmimin e gjakut të tyre. Ta ruajmë e ta çmojmë, bashkë me kujtimin për të rënët. Përgjithmonë në kujtesën tonë historike”.

