Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 78-vjeçarit në Bulgarec të Korçës. Mësohet se trupi i pajetë i Gezim Vijes u gjet mëngjesin e së enjtes nga punonjësi i postës, i cili shpërndan pensionet.
Punonjësi kishte thirrur të moshuarin për të dalë, por kur nuk mori përgjigje, njoftoi fqinjët. Ata më pas hapën derën e shtëpisë dhe gjetën trupin e pajetë në një nga dhomat.
Ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar se 78-vjeçari kishte një plagë të thellë në kokë, shkaktuar me një mjet të fortë, e cila i ka sjellë vdekjen. Dyshohet se viktima është përleshur me autorin para se të goditej për vdekje.
Policia dhe ekspertët janë kthyer sot në vendin e ngjarjes për të vazhduar hetimet, por mjeti i përdorur ende nuk është gjetur.
Vazhdojnë marrja në pyetje e familjarëve dhe të afërmve të viktimës, megjithatë deri tani deklarimet e tyre nuk kanë dhënë informacion të vlefshëm që mund të orientonte autoritetet drejt identifikimit të autorit./panorama/