Kush janë kandidatët për një pozitë për anëtar të KPK-së, çka thuhet në koncept-dokumentet e tyre - Gazeta Express
string(96) "kush-jane-kandidatet-per-nje-pozite-per-anetar-te-kpk-se-cka-thuhet-ne-koncept-dokumentet-e-tyre"

Lajme

Gazeta Express

03/04/2026 10:40

Kush janë kandidatët për një pozitë për anëtar të KPK-së, çka thuhet në koncept-dokumentet e tyre

Lajme

Gazeta Express

03/04/2026 10:40

Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 27 shkurt 2026, ka shpallur konkurs për zgjedhjen e një anëtari jo-prokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Sipas ftesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për të monitoruar procesin, del se në procesin e intervistimit do t’i nënshtrohen shtatë (7) kandidatë për një pozitë të anëtarit jo-prokuror në KPK, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lista e kandidatëve për një pozitë të lirë është si vijon:

  1. Arlinda Muqa;
  2. Artan Fejzullahu;
  3. Hysni Mustafa;
  4. Mentor Beqiri;
  5. Nevoite Nezaj;
  6. Ramadan Gashi dhe
  7. Sadat Lekiqi.

KPK, me plotësim-ndryshimet e ligjit për KPK-në, tashmë parashihet të ketë shtatë anëtarë, ndërsa aktualisht ka gjashtë, dhe me këtë konkurs plotësohen të gjitha vendet e lira për anëtarë.

Çka thuhet në koncept-dokumentet e publikuara në ueb-faqen e Kuvendit për secilin kandidat:

Arlinda Muqa:
Sipas asaj që Muqa ka shënuar në koncept, thuhet se ka përvojë të gjatë në monitorimin sistematik të sistemit gjyqësor, si dhe në analizimin e vendimeve në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin vendor.

Muqa ka theksuar se është angazhuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, me theks të veçantë tek ato të komuniteteve jo-shumicë.

Po ashtu, ajo ka theksuar se gjatë monitorimit të proceseve gjyqësore është përkujdesur për zbatimin e legjislacionit, ka hartuar raporte, është përkujdesur për respektimin e gjuhës, si dhe është marrë me trajtimin e rasteve të diskriminimit.

Muqa ka theksuar se përvoja gjatë monitorimit i ka ndihmuar në përcaktimin e metodologjive dhe strategjive për arritjen e objektivave që mund të caktohen si anëtare jo-prokurore në Këshill.

Në fund, ajo ka theksuar se vizioni dhe misioni i saj do të ndihmojnë në paraqitjen e një kulture institucionale gjithëpërfshirëse, bazuar në komunitetin rom nga i cili vjen.

Artan Fejzullahu:
Në konceptin e tij, Fejzullahu ka theksuar se puna e tij do të bazohet në parimin e transparencës dhe trajtimit të barabartë të të gjithëve.

Tutje, ai ka theksuar se përvoja e tij akademike dhe ekspertiza do të ndihmojnë KPK-në në forcimin e pavarësisë, transparencës dhe profesionalizmit.

Ai gjithashtu ka theksuar se ka ushtruar pozita koordinatori dhe menaxheriale, si dhe si profesor ka bërë përcjelljen e mbarëvajtjes së proceseve mësimore.

Në fund, Fejzullahu ka theksuar se, me përvojën e tij, synon të rrisë profesionalizimin dhe të japë kontribut në analiza shkencore.

Hysni Mustafa:
Në konceptin e Mustafës thuhet se ai ka përvojë pune prej 15 vitesh në institucionet e Republikës së Kosovës.

Sipas tij, gjatë hartimit të akteve përkatëse ka respektuar dhe i ka hartuar ato bazuar në fakte juridike dhe ligjore, pa asnjë konsideratë jashtëligjore.

Po ashtu, Mustafa ka theksuar se njeh tri gjuhë dhe se formimi akademik, përfshirë edhe në Turqi, i jep atij akses të drejtpërdrejtë në analiza krahasuese gjatë punës.

Tutje, ai ka thënë se vizioni për KPK-në bazohet në tri shtylla: pavarësia institucionale, llogaridhënia para qytetarëve dhe rritja profesionale brenda sistemit prokurorial.

Në fund, Mustafa ka theksuar se do të sjellë eksperiencë institucionale, pavarësi dhe vizion reformues.

Mentor Beqiri:
Në konceptin e tij, Beqiri ka theksuar se ushtron profesionin e avokatit, të cilin e ka bazuar në parimet e profesionalizmit dhe paanshmërisë.

Sipas tij, ekspertiza është e fokusuar në fushën penale, përfshirë rastet komplekse, duke shtuar se rolin e avokatit e ka ushtruar edhe në Holandë, në Hagë.

Ai ka theksuar se aftësitë menaxheriale i ka të ndërtuara mbi vendimmarrje strategjike dhe të planifikuar.

Në fund, Beqiri ka theksuar se synon të jetë praktik, i paanshëm dhe i orientuar drejt rezultateve konkrete.

Nevoite Nezaj:
Në koncept, Nezaj ka theksuar se ka përvojë në administratë publike dhe se udhëhiqet nga parimet e integritetit, ligjshmërisë dhe proporcionalitetit të të drejtave themelore.

Ajo ka theksuar se mbështetjen ligjore të grupeve punuese e ka ushtruar duke mbajtur pozicion të pavarur, pavarësisht presioneve për zgjidhje jashtë standardeve juridike.

Nezaj ka potencuar se ekspertiza e saj kryesore është në fushën kushtetuese, Bashkimin Evropian dhe harmonizimin e legjislacionit me të drejtën ndërkombëtare.

Në fund, ajo ka theksuar se synimi i saj për KPK-në është ndërtimi i një institucioni të besueshëm, profesional dhe transparent.

Ramadan Gashi:
Në konceptin e tij, Gashi ka theksuar se gjatë punës ka pasur parasysh pavarësinë në vendimmarrje, paanshmërinë dhe objektivitetin, respektimin e ligjit, si dhe menaxhimin e drejtë të konfliktit të interesit.

Ai ka potencuar se synon që proceset në KPK të zhvillohen mbi bazën e rekrutimit të drejtë, me arsyetime të qarta ligjore dhe me balancim mes pavarësisë institucionale dhe llogaridhënies.

Në fund, Gashi ka theksuar se do të jetë i përkushtuar për një qasje profesionale, të paanshme dhe strategjike.

Sadat Lekiqi:
Në konceptin e tij, Lekiqi ka shënuar se ka punuar në Zyrën e Prokurorit Disiplinor dhe se ka qenë i përfshirë në hetimin e sjelljeve të pahijshme të prokurorëve.

Sipas tij, gjatë ushtrimit të detyrave nuk ka lejuar ndikime nga jashtë dhe ka qenë i përkushtuar në vendimmarrje të ligjshme.

Tutje, ai ka theksuar se ka refuzuar çdo kërkesë për trajtim preferencial apo devijim nga procedurat ligjore.

Në fund, Lekiqi ka shënuar se do të angazhohet për vendime të ligjshme disiplinore dhe do të kontribuojë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucionit para publikut.

Advertisement
Advertisement
Advertisement