Pakënaqësi për pagën e 13-të, punonjësit e ndërmarrjeve publike paralajmërojnë protesta e greva - Gazeta Express
string(94) "pakenaqesi-per-pagen-e-13-te-punonjesit-e-ndermarrjeve-publike-paralajmerojne-protesta-e-greva"

Lajme

Gazeta Express

03/04/2026 8:45

Pakënaqësi për pagën e 13-të, punonjësit e ndërmarrjeve publike paralajmërojnë protesta e greva

Lajme

Gazeta Express

03/04/2026 8:45

Protesta e greva kanë paralajmëruar punonjës të ndërmarrjeve publike që nuk kanë përfituar nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik.

Nexhat Llumnica, kryetar i Sindikatës së re të Korporatës Energjetike të Kosovës, ka thënë të enjten se vendimin e konsiderojnë standard të dyfishtë.

“Jemi mbi 4000 punëtorë të KEK-ut që Qeveria nuk i ka ndarë pagat e 13-ta edhe pse jemi tatimpaguesit më të mëdhenj në Kosovë”.

“Konsideroj se këta ose janë shumë të padijshëm ose shumë diskriminues sepse është standard i dyfishtë për punëtorët e KEK-ut dhe punëtorët tjerë të ndërmarrjeve publike…. Tani ne nëse për një beneficion jemi sektor publik, e për një tjetër nuk jemi, është joreale nga Qeveria e Kosovës. Tek e fundit kemi menaxhmentin, kemi bordin që do të vendosë në bazë të Ligjit për Ndërmarrjet Publike sepse jemi kompani fitimprurëse dhe vetëfinancuese për pagat tona, por ky standardi i dyfishtë na ka penguar shumë dhe në rast se vazhdojnë kështu që të mos na dëgjojnë për kërkesat tona, për përfitimin e pagës së 13-të edhe për ndërmarrjet publike, atëherë ne duhet të organizohemi me një protestë madhështore, por pse jo edhe grevë në rast se nuk realizohen këto kërkesa”, ka thënë ai.

Llumnica ka thënë se i janë drejtuar me letër edhe Avokatit të Popullit e edhe Ministrisë së Financave, por s’kanë marrë përgjigje.

Ankesë të ngjashme ka pasur edhe Ibrahim Jonuzi, kryesindikalist i “Trepçës”. Ai ka thënë se luksin e kanë marrë politikanët dhe janë anashkaluar profesionet e tjera.

“Kjo ka qenë një goditje shumë e madhe te minatorët, të cilët vazhdimisht kanë pyetur cilat kanë qenë arsyet pse nuk janë ndarë. Kemi pritur që të mos të ndahemi as ne, pasi që Qeveria është aksionari kryesor në ndërmarrjen ‘Trepça’”, ka thënë ai në “Interaktiv” të enjten.

KOHA ka raportuar të enjten se pagën e 13-të e kanë përfituar edhe deputetët e legjislaturës së kaluar, që u ka përfunduar mandati para vitit të ri, e që marrin shtesë transitore. Për ta nuk është respektuar vendimi i Qeverisë, në të cilin si një prej kritereve është vënë edhe domosdoshmëria që punonjësit publikë për të përfituar pagën e 13-të duhet të jenë në listë të pagave për muajin mars, gjë që ish-deputetët nuk janë. E ky kriter është respektuar për shumë qytetarë, që kanë punuar gjatë vitit 2025, por kanë dalë në pension në fillim të vitit. Ata nuk kanë marrë pagë të 13-të.

“Paga e trembëdhjetë (13) e plotë u takon të gjithë të punësuarve me pagë primare, sipas listës së pagave të muajit mars 2026, të cilët janë të punësuar me orar të plotë dhe që kanë qenë të punësuar gjatë tërë dymbëdhjetë (12) muajve të fundit në një organizatë buxhetore”, thuhet në pikën 3 të vendimit të Qeverisë për këtë çështje.

Në fillim të javës në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se janë në përgatitje të një pakoje kundër inflacionit, që do t’iu vihet në ndihmë edhe punëtorëve të sektorit privat.

Vendimi i Qeverisë për ndarjen e pagës së 13-të për rreth 85 mijë të punësuar në sektorin publik do t’i kushtojë buxhetit të shtetit afro 75 milionë euro.

Vendimi i Qeverisë për këtë masë është kritikuar edhe nga shoqëria civile dhe sindikatat. Në Institutin GAP kanë thënë se Qeveria duhej t’u jepte mbështetje pa përjashtim atyre që kanë paga më të ulëta.

Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP, ditë më parë ka thënë se një ndërhyrje më adekuate do të ishte zbatimi i një mase të tillë për të gjithë punonjësit në ekonomi me paga më të ulëta. Sipas tij, studimet e fundit në Kosovë tregojnë se punëtorët në sektorin publik paguhen rreth 31 për qind më shumë për orë pune sesa ata të sektorit privat.

“Në vijimësi ka pasur kritika që administrata publike te ne është e mbingarkuar me numër të punonjësve, problem i cili nuk është trajtuar fare as nga Qeveria Kurti. Andaj, edhe problemi me inflacion muajve të fundit, del se i ndikon shumë më shumë punonjësit e sektorit privat. Një ndërhyrje shumë më adekuate sesa kjo, meqë Qeveria veçse ka vendosur të zbatojë një masë të tillë, do të ishte që të ndihmoheshin të gjithë punonjësit në ekonomi me paga më të ulëta. Përfshirë punonjës të sektorit privat dhe atij publik”, ka thënë Hasaj më 30 mars.

E kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, pati thënë se në këtë vendim duhet të përfshihen edhe punëtorët e sektorit privat, si mbushës të arkës së shtetit.

“Ne jemi ata punëtorë të cilët prodhojmë, përderisa punëtorët e sektorit publik janë ata të cilët shpenzojnë. Dhe mos të kemi ironi: ne i gëzohemi pagës së 13-të për këta punëtorë, por jashtëzakonisht kemi presione të mëdha nga punëtorët e sektorit privat: ‘pse ata marrin dhe ne jo?’, domethënë çka na dallon neve prej punëtorëve të sektorit publik?”, ka thënë Azemi më 30 mars.

Kritika ndaj Qeverisë kanë bërë edhe parti e deputetë të opozitës, duke e quajtur vendimin për ndarje të pagës së 13-të vetëm për sektorin publik, diskriminues. /Koha

Advertisement
Advertisement
Advertisement