Po rrezikoni shtetin, zgjedheni Presidentin - Gazeta Express
string(42) "po-rrezikoni-shtetin-zgjedheni-presidentin"

OP/ED

Gazeta Express

02/04/2026 14:00

Po rrezikoni shtetin, zgjedheni Presidentin

OP/ED

Gazeta Express

02/04/2026 14:00

Kjo nuk është kërkesë e madhe. Është lutje publike nga një qytetar që shqetësohet nga trendi i rreziqeve të sigurisë kombëtare.

Shkruan: Burim Ramadani

Sot bota është e çrregulluar fort. Aq keq e aq thellë sa thellimi i krizës brenda Kosovës në këto rrethana do të mbetet përgjegjësia juaj në historinë e popullit tonë. Sot bota nuk ka kornizë funksionale dhe jo vetëm në kuptimin e sigurisë ekonomike. Është thellësisht e dëmtuar ajo që e kemi njohur si siguri globale deri pak vite më parë. Dhe, është keqësuar dukshëm nga ajo që e kemi njohur si siguri globale pak muaj më parë.

Rrjedhat nuk janë të mira as sa i përket stabilitetit të sigurisë rajonale. Këto rrethana të thelluara në pasigurinë globale kanë qenë vazhdimisht pjesë e kalkulimeve hegjemonike të Serbisë. Në fillim të tetorit 2020, Aleksandar Vuçiq tha se Serbia ka marrë një mësim nga situata e ‘kthimit të kontrollit’ mbi Nagorno-Karabakh nga ana e Azerbejxhanit dhe se “reagimi i bashkësisë ndërkombëtare ndaj ripërtëritjes së konfliktit në Nagorno-Karabakh ishte i vakët dhe kjo mund të shërbejë si një mësim për Serbinë”. E kuptoni çka do të thotë kjo apo jo?!

Hajt ta zhveshim krejtësisht: Kjo do të thotë se Vuçiq kalkulon tash e sa kohë që nëse bota futet në situata të luftërave të mëdha, Serbia futet në luftë në Kosovë!

Një situatë e stërkequr e sigurisë globale (e cila uroj të mos ndodh!) nuk guxon assesi ta gjejë Kosovën në kriza të brendshme, të pakuptimta thelbësisht dhe të motivuara nga interesa personale e partiake, praktikisht. Sepse, kjo krizë e thelluar e mungesës së kompromisit për të zgjedhur institucionet qendrore (të paktën deri më tash!) është dëshmuar të jetë e lidhur me interesa personale e partiake, jo me koncepte të ndryshme që kurrsesi nuk mund të përbashkohen. Dëshmi për këtë janë disa runde takimesh ‘konstruktive’ pa rezultat midis partisë në pushtet dhe dy prej tri partive opozitare parlamentare shqiptare. Po të kishte dallime konceptuale të patejkalueshme, takime të tilla nuk do të mbaheshin apo jo!

Një President duhet zgjedhur. Kriza duhet të kalohet. Kompromisi për këtë duhet të arrihet.

Ky është thelbi i qasjes që ju duhet të mbani. Një shërbëtor ndaj Kushtetutës e jo ndaj qëllimeve partiake. Një Komandant Suprem të Ushtrisë sonë që është në gjendje të kuptojë e të sillet kushtetshmërisht në rast të situatës së jashtëzakonshme.

Ju edhe mund të mos e bëni këtë. Sepse, kështu po duket që keni drejtimin. Pra, doni zgjedhje. Paraprakisht, tërë arsenalin e kalkulimeve partiake e të propagandës e keni të orientuar në atë se “kujt po i mbetet faji!”. Nuk e doni fajin për vete. Por, nuk jeni të gatshëm për zgjidhje.

Këto kombinatorika taktike tashmë besoj po i lexojnë të gjithë!

Por, ju s’po i lexoni drejt e saktë rrethanat, rreziqet dhe kërcënimet e sigurisë sonë kombëtare. Politikanët e kanë një detyrë thelbësore: ta ruajnë shtetin! Ruajtja e shtetit nënkupton edhe përgatitjen për t’u përballur me këto rreziqe. Edhe me agresionin! Edhe me luftën!

Ju nuk po përgatisni Kosovën për të qëndruar në këmbë. Përkundrazi.

P.S

Veç shiheni se si e keni lënë Ushtrinë tonë me gjysmën e Gjeneralëve që duhet të jenë! Më shumë se kaq, tjetërherë!

Advertisement
Advertisement
Advertisement