Raportimet po shtohen se Milani dhe Paris Saint-Germain janë të interesuara për Marcus Rashfordin, nëse Barcelona nuk vendos ta blejë përfundimisht nga Manchester Unitedi.
28-vjeçari ka kontratë me Manchester Unitedin deri në qershor 2028, por aktualisht është i huazuar te Barcelona deri në fund të sezonit, me një opsion blerjeje prej 30 milionë eurosh.
Ai ka ringjallur karrierën e tij në Spanjë, duke regjistruar 10 gola dhe 13 asistime në 39 ndeshje zyrtare për katalanasit, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se klubi do ta bëjë transferimin të përhershëm.
Nëse kjo nuk ndodh, ekzistojnë alternativa të tjera, pasi sipas raportimeve nga Spanja dhe Anglia, Milani dhe PSG janë gati të përfshihen në garë.
“Rossonerët” tashmë kanë disa lojtarë të kombëtares angleze në skuadër, si Ruben Loftus-Cheek dhe Fikayo Tomori.
Ata janë gjithashtu në kërkim të një sulmuesi të ri, pasi Santiago Gimenez nuk ka përmbushur pritshmëritë, ndërsa Niclas Fullkrug me shumë gjasë nuk do të blihet përfundimisht pas huazimit nga West Ham Unitedi.
Nuk është hera e parë që Rashfordi lidhet me një kalim të mundshëm në Serie A, veçanërisht te Milani./GazetaExpress/