Një tifoz futbolli ka vdekur pasi ra në stadiumin që do të presë ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026, kanë konfirmuar autoritetet.
Të shtunën, “Estadio Banorte”, i njohur gjithashtu si “Azteca”, u rihap për të zhvilluar një ndeshje miqësore mes Meksikës dhe Portugalisë.
Stadiumi ishte rinovuar së fundmi dhe ndeshja shërbeu si test para ceremonisë hapëse dhe ndeshjes së parë të Kupës së Botës mes bashkëorganizatorëve, Meksikës dhe Afrikës së Jugut më 11 qershor.
Por ndeshja u errësua nga një tragjedi, pasi një burrë ra për vdekje para fillimit të saj.
Sipas “Reuters”, tifozi, për të cilin autoritetet thonë se ishte i dehur, tentoi të hidhej nga një zonë e ulëseve VIP në nivelin e dytë.
Ai u ngjit përgjatë pjesës së jashtme të strukturës në përpjekje për të arritur në nivelin e parë, por ra në parking dhe humbi jetën.
Zyra e Prokurorit Publik të Qytetit të Meksikos reagoi në rrjetin X me një deklaratë mbi rastin, duke thënë se “do të vazhdojë hetimet në mënyrë të plotë” dhe “do ta mbajë publikun të informuar për zhvillimet përkatëse”.
Ndeshja e ardhshme e Meksikës do të jetë kundër Belgjikës në stadiumin “Soldier Field” në Chicago të mërkurën.
“El Tri” do të përballet gjithashtu me Ganën, Australinë dhe Serbinë në fund të majit dhe fillim të qershorit, përpara ndeshjes hapëse kundër Afrikës së Jugut.
Në total, “Azteca” do të presë pesë ndeshje gjatë Kupës së Botës, përfshirë edhe një ndeshje të fazës së 1/8 së finales./GazetaExpress/