Mesfushori i kombëtares së Kosovës, Veldin Hoxha nuk mundi të mbante lotët e emocionit pas triumfit në Sllovaki, ndërsa është i bindur se edhe një stadium me 140 mijë tifozë do të ishte i mbushur për finalen ndaj Turqisë.
Hoxha shënoi një gol të jashtëzakonshëm në fitoren 4-3 të Kosovës në Bratisllavë dhe pritet të jetë në formacionin titullar në finalen e “play-offit” kundër Turqisë.
Në një intervistë për median kroate, “novilist.hr”, Hoxha përshkroi ndjesinë e golit dhe fitores si të paarritshme me fjalë.
“Faleminderit të gjithë njerëzve të Rijeka për urimet e shumta, është çmenduri këtu. Ndjesia në Sllovaki ishte pothuajse si kur luaja për herë të parë dhe shënova për Rijekën. Thjesht e pabesueshme. Tani ishte goli im i parë për Kosovën”, tha ai fillimisht.
“Kur gjyqtari dha shenjën e fundit… lotët e gëzimit dhe britmat erdhën nga lumturia. Filluan të dilnin vetvetiu. Ishin emocione të pakontrolluara, plot gëzim”, shtoi ai.
“Ishte e pabesueshme të shihje lajmet në ‘Neë York Times’ me titullin ‘Çfarë momenti për Hoxhën që shënoi golin e parë për Kosovën’. Kur arritëm në Prishtinë shkuam direkt në hotel. Pamë pamjet, pas fitores qyteti ishte në kaos të plotë, një çmenduri e madhe”, u shpreh ai më tutje.
Përsa i përket finales ndaj Turqisë, Hoxha është i bindur se edhe një stadium me kapacitet prej 140 vendesh do të ishte i mbushur me tifozë të Kosovës.
“Njerëzit nga Federata thonë ‘Do të ishte i mbushur edhe nëse do të kishim 10 herë kapacitetin’. Edhe sikur të kishim 140 mijë vende, të gjitha biletat do të shiteshin brenda 1 minute. Do të jetë çmenduri, por ne lojtarët jemi të qetë. Një tjetër hap drejt Botërorit”, e mbylli ai./GazetaExpress/