Veldin Hoxha ishte njëri nga më të mirët në fushën e lojës, në fitoren e madhe ndaj Sllovakisë.
Mesfushori shënoi golin e barazimit për 1-1 në fitoren prej 4-3 ndaj sllovakëve, dhe pati një paraqitje të madhe në Bratisllavë.
Me fitoren në kryeqytetin sllovak, Kosova siguroi kalimin në finale të “play-offit” të Kupës së Botës, duke qenë tashmë vetëm 90/120 minuta latg Botërorit.
Por, sipas tij kjo tashmë ka kaluar, dhe fokusi është tashmë te kundërshtari i finales së “play-offit” të Botërorit, Turqia.
“Ndjenja është shumë e mirë, por kjo ndeshje tashmë ka kaluar, dhe tani fokusi ynë është te ndeshja e radhës kundër Turqisë. Ekipi do të jetë i përgatitur maksimalisht dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të arritur kualifikimin në Kupën e Botës”, tha ai për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Hoxha më tutje tha se atmosfera në ekip është e mirë, dhe se kjo shkon në favorin e tyre.
“Mendoj se kemi një atmosferë të mirë brenda skuadrës. Jemi një ekip shumë i mirë dhe luajmë si një ekip i bashkuar, gjë që është një nga pikat tona më të forta”, shtoi tutje mesfushori që luan te Rubin Kazani në Rusi.
Mesfushori pati edhe një mesazh për tifozët para ndeshjes së madhe me Turqinë.
“Kur i ke tifozët pas vetes në stadiumin tënd, kjo të jepë një shtysë shumë të madhe në ndeshje të tilla. Prandaj, do të japim maksimumin për të fituar këtë ndeshje – për veten tonë, për tifozët, për vendin tonë – me sunimin që të arrijmë në Kupën e Botës”, përfundoi ai.
Ndeshja e madhe Kosovë – Turqi do të luhet të martën e 31 marsit në Prishtinë, në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:45.
Fituesi i kësaj përballjeje do të luajë në Botërorin e vitit 2026, që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada e Meksikë./GazetaExpress/