Një juri në Los Anxhelos ka dhënë një fitore ”të paprecedentë” për një grua që paditi Meta dhe YouTube për varësinë e saj nga rrjetet sociale gjatë fëmijërisë.
Anëtarët e jurisë konstatuan se Meta, që zotëron Instagram, Facebook dhe WhatsApp, dhe Google, pronar i YouTube, kanë ndërtuar qëllimisht platforma të varësisë që kanë dëmtuar shëndetin mendor të 20-vjeçares, raporton BBC, përcjell Gazeta Express.
Gruas, e njohur si Kaley, iu akorduan 6 milionë dollarë (4.5 milionë paund) dëmshpërblim, një rezultat që pritet të ketë pasoja për qindra raste të ngjashme që aktualisht po shqyrtohen në gjykatat amerikane.
Meta dhe Google thanë veçmas se nuk pajtohen me vendimin dhe do ta apelojnë. Meta tha: “Shëndeti mendor i adoleshentëve është thellësisht kompleks dhe nuk mund të lidhet me një aplikacion të vetëm.
“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë veten fuqishëm, pasi çdo rast është i ndryshëm, dhe mbetemi të bindur në historikun tonë të mbrojtjes së adoleshentëve online.”
Një zëdhënës i Google tha: “Ky rast e keqkupton YouTube-in, i cili është një platformë transmetimi e ndërtuar me përgjegjësi, jo një rrjet social.”
Juria vendosi që Kaley të marrë 3 milionë dollarë dëmshpërblim kompensues dhe edhe 3 milionë dollarë dëmshpërblim ndëshkues, pasi përcaktuan se Meta dhe Google “kanë vepruar me keqdashje, shtypje ose mashtrim” në mënyrën se si kanë operuar platformat e tyre.
Meta pritet të mbulojë 70% të shumës së dëmshpërblimit, ndërsa Google pjesën e mbetur prej 30%.
Prindër të fëmijëve të tjerë, që nuk janë pjesë e padisë së Kaley-t, por pretendojnë se janë dëmtuar gjithashtu nga rrjetet sociale, ndodheshin jashtë gjykatës të mërkurën, siç kishin qenë për shumë ditë gjatë gjyqit pesëjavor.
Kur u shpall vendimi, prindër si Amy Neville u panë duke festuar dhe përqafuar prindër të tjerë dhe mbështetës që kishin pritur vendimin.
Vendimi në Los Anxhelos erdhi një ditë pasi një juri në New Mexico e shpalli Metën përgjegjëse për mënyrën se si platformat e saj rrezikuan fëmijët dhe i ekspozuan ndaj materialeve me përmbajtje seksuale dhe kontakteve me grabitqarë seksualë.
Mike Proulx, drejtor kërkimesh në firmën këshilluese Forrester, tha se vendimet e njëpasnjëshme theksojnë një “pikë thyerjeje” mes kompanive të rrjeteve sociale dhe publikut.
Muajt e fundit, vende si Australia kanë vendosur kufizime për fëmijët për të ndalur ose kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale. Mbretëria e Bashkuar aktualisht po zhvillon një program pilot për të parë se si mund të funksionojë një ndalim i rrjeteve sociale për personat nën moshën 16 vjeç.
“Qëndrimi negativ ndaj rrjeteve sociale është ndërtuar prej vitesh dhe tani më në fund ka shpërthyer,” tha Proulx.
Duke reaguar ndaj vendimit, kryeministri Sir Keir Starmer tha se gjendja aktuale “nuk është e mjaftueshme” dhe se duhet bërë më shumë për të mbrojtur fëmijët.
Duke theksuar konsultimin e qeverisë për të parë nëse duhet të ndalohen rrjetet sociale për nën 16 vjeç, ai tha: “Nuk është çështje nëse gjërat do të ndryshojnë, ato do të ndryshojnë. Pyetja është, sa dhe çfarë do të bëjmë?”
Ndërkohë, Duka dhe Dukesha e Sussex-it, të cilët kanë bërë fushatë për dëmet e rrjeteve sociale, e quajtën vendimin një “llogaritje”.
“Ne qëndrojmë pranë çdo prindi dhe të riu që refuzoi të heshtë,” thanë ata.
“Le të jetë ky ndryshimi – ku siguria e fëmijëve tanë më në fund vendoset mbi fitimin.”
Gjatë paraqitjes së tij para jurisë në shkurt, Mark Zuckerberg, kryetar dhe drejtor ekzekutiv i Meta-s, u mbështet në politikën e gjatë të kompanisë për të mos lejuar përdorues nën moshën 13 vjeç në platformat e saj.
Kur iu paraqitën studime dhe dokumente të brendshme që tregonin se fëmijë më të vegjël në fakt po përdornin platformat, Zuckerberg tha se “gjithmonë kishte dëshiruar” përparim më të shpejtë për identifikimin e përdoruesve nën 13 vjeç. Ai këmbënguli se kompania kishte arritur “vendin e duhur me kalimin e kohës”.
Ndërsa Google, si pronar i YouTube-it, ishte gjithashtu i paditur në këtë rast, pjesa më e madhe e gjyqit u përqendrua te Instagrami dhe Meta.
Snap dhe TikTok gjithashtu ishin fillimisht të paditur, por të dyja kompanitë arritën marrëveshje të pazbuluara me Kaley-n përpara gjyqit.
Sa i përket avokatëve të Kaley-t, ata argumentuan se Meta dhe YouTube kanë ndërtuar “makina varësie” dhe kanë dështuar në përgjegjësinë e tyre për të parandaluar qasjen e fëmijëve në platformat e tyre.
Kaley tha se filloi të përdorte Instagramin në moshën nëntëvjeçare dhe YouTube në moshën gjashtëvjeçare, pa hasur përpjekje për ta bllokuar për shkak të moshës.
“Ndala së angazhuari me familjen sepse po e kaloja gjithë kohën në rrjetet sociale,” tha ajo gjatë dëshmisë.
Ajo tha se ishte 10 vjeç kur filloi të përjetonte ankth dhe depresion, çrregullime për të cilat u diagnostikua vite më vonë nga një terapist.
Ajo gjithashtu filloi të fiksohej pas pamjes së saj fizike dhe nisi të përdorte filtrat e Instagramit që ndryshonin pamjen – duke i bërë hundën më të vogël dhe sytë më të mëdhenj – pothuajse menjëherë pasi filloi përdorimin e platformës si fëmijë.
Kaley më pas u diagnostikua me dismorfi trupore, një gjendje që i bën njerëzit të shqetësohen në mënyrë të tepruar për pamjen e tyre dhe i pengon ta shohin veten siç i shohin të tjerët.
Avokatët e saj argumentuan se veçori të Instagramit, si “scroll”-i i pafund, janë dizajnuar për të krijuar varësi.
Sipas tyre, objektivat e rritjes së Meta-s synonin të tërhiqnin të rinjtë në platformat e saj.
Duke përdorur dëshmi nga ekspertë dhe ish-drejtues të Meta-s, ata argumentuan se kompania donte përdorues të rinj sepse ata kishin më shumë gjasa të qëndronin më gjatë në platforma.
Kur avokatët i thanë Adam Mosseri-t, drejtuesit të Instagramit, se përdorimi më i gjatë i Kaley-t në një ditë kishte arritur në 16 orë, ai mohoi se kjo ishte provë e varësisë.
Në vend të kësaj, ai e quajti “problematike” që një adoleshent të kalojë pjesën më të madhe të ditës në Instagram.
Avokatët e Kaley-t thanë të mërkurën se vendimi i jurisë “dërgon një mesazh të qartë se asnjë kompani nuk është mbi përgjegjësinë kur bëhet fjalë për fëmijët tanë.”
Një tjetër rast kundër Meta-s dhe platformave të tjera të rrjeteve sociale për dëmet e pretenduara ndaj fëmijëve pritet të nisë në qershor në një gjykatë federale në Kaliforni.