Gjykata Kushtetuese pritet që së shpejti të marrë një vendim lidhur me çështjen e dekretit të presidentes dhe procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit, një zhvillim që konsiderohet kyç për tejkalimin e ngërçit aktual institucional në vend.
“Kjo kërkesë është duke u shqyrtuar. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Gjykata Kushtetuese e Kosovës për FrontOnline.
Në të njëjtën kohë, në media është raportuar se vendimi i mundshëm i kësaj gjykate mund të përfshijë një afat prej 60 ditësh për kryeministrin Albin Kurti, me qëllim që t’i jepet hapësirë institucioneve për zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e një krize më të thellë politike.
Lidhur me këtë çështje, njohës të Kushtetutës kanë dalë me qëndrime, duke interpretuar bazën ligjore të një afati të tillë dhe rolin që mund të ketë Gjykata Kushtetuese në orientimin e zgjidhjeve politike brenda kornizës kushtetuese.
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, për FrontOnline ka vlerësuar se dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit ka qenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa vendimi i mundshëm i Gjykatës për një afat 60-ditor synon të ruajë balancat institucionale dhe të shmangë pasojat e pariparueshme.
Sipas Kryeziut, roli i Gjykatës Kushtetuese është që të garantojë funksionimin e drejtë të rendit kushtetues dhe të mbajë ekuilibrin mes institucioneve shtetërore.
“Dekreti i Presidentes ka qenë ligjor dhe legjitim. Gjykata Kushtetuese e ka për detyrë me i ruajtur balancat shtetërore. Nëse ajo ka konsideruar se zbatimi i këtij dekreti ka efekte të pariparueshme, atëherë ka marrë një vendim udhëzues për t’i dhënë hapësirë subjekteve politike për zgjedhjen e Presidentit”, ka deklaruar ai.
Ai ka theksuar se presidentja Vjosa Osmani nuk ka bërë shkelje kushtetuese, duke argumentuar se veprimet e saj kanë qenë të bazuara në dispozitat e Kushtetutës.
“Jo absolutisht, Osmani nuk ka bërë shkelje Kushtetuese, sepse nuk ka pasur zgjedhje tjetër, edhe sipas nenit 85, pika 6 të Kushtetutës”, u shpreh Kryeziu.
Profesori i së drejtës kushtetuese, Kolë Krasniqi, për FrontOnline ka komentuar zhvillimet e fundit rreth vendimit të mundshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se ky afat është i lidhur drejtpërdrejt me fillimin e procedurës parlamentare.
Sipas tij, afati prej 60 ditësh duhet të llogaritet nga momenti kur ka nisur procedura për zgjedhjen e presidentit, konkretisht kur janë paraqitur kandidatët dhe janë verifikuar nga komisioni përkatës i Kuvendit.
“Procedura ka filluar në momentin kur janë paraqitur dy kandidatë dhe komisioni për verifikim i parlamentit ka konstatuar se ata i plotësojnë kriteret për zgjedhje. Prej atij momenti fillon të rrjedhë afati deri në 60 ditë”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai theksoi se, ndonëse Kushtetuta nuk e përcakton në mënyrë eksplicite këtë afat, në praktikë është respektuar periudha 60-ditore si standard kushtetues.
“Kushtetuta nuk i ka dhënë afat të prerë, por është respektuar afati 60-ditor, pavarësisht interpretimeve të ndryshme. Gjykata Kushtetuese vetëm sa i ka implementuar këto rregulla kushtetuese”, u shpreh ai për FrontOnline.
Krasniqi ka vlerësuar gjithashtu se presidentja ka vepruar në përputhje me kompetencat e saj, duke argumentuar se Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të procedojë në kohë zgjedhjen e kreut të shtetit.
“Presidentja kishte të drejtë, pasi Kuvendi nuk e ka proceduar me kohë zgjedhjen e Presidentit. Megjithatë, Gjykata ka dy opsione dhe duket se po mundohet të gjejë zgjidhje të reja në këtë situatë”, shtoi ai.
Në fund, Krasniqi paralajmëroi se zhvillimet aktuale mund të çojnë drejt një epilogu politik me zgjedhje të reja në vend.
“Unë besoj se do të ketë zgjedhje të reja”, përfundoi ai.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...