Kryeministri Albin Kurti i cilësoi provokim dhe demonstrim të destruktivitetit dhe agresivitetit stërvitjet e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën.
Ai tha se “bëhet fjalë për njësi që e kanë trajnuar kryekriminelin dhe kryeterroristin Milan Radoiçiq në Banjskë të Zveçanit”, dhe shtoi se për këtë iu ka shkruar “faktorëve ndërkombëtarë”.
“Ky është një provokim të Serbisë, e cila natyrisht që dëshiron ta cenojë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Republikës sonë. Bëhet fjalë për njësi që e kanë trajnuar kryekriminelin dhe kryeterroristin Milan Radoiçiq në Banjskë të Zveçanit për vrasjen e policit të Kosovës, heroit Afrim Bunjaku, por në të njëjtën kohë tregon edhe pafuqinë e tyre. Sepse në Kosovë më nuk ka struktura ilegale të cilat mund ta cenojnë stabilitetin institucional, integritetin territorial, sovranitetin shtetëror, paqen dhe sigurinë për të gjithë. Dhe nga kjo pafuqi e tyre që të bëjnë diçka brenda Kosovës, tash kanë shkuar aty rreth kufirit dhe përpiqen që të demonstrojnë forcën. Është provokim. Ne për këtë ju kemi shkruar faktorëve ndërkombëtarë”, tha ai në një deklarim për gazetarët.
Kurti tha se “kufiri është i mbrojtur”.
“Forcat tona janë të përgatitura, kufiri ynë është i mbrojtur, dhe këtë e bëjmë me Forcën e Sigurisë së Kosovës, me Policinë e Kosovës, me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti me KFOR-in”, tha ai.
Sipas tij, këto stërvitje janë edhe “shprehje e frikës dhe e pafuqisë” së Serbisë, që, siç tha, “Republika e Kosovës është më e fortë se kurrë”.
“Në njërën anë, është e vërtetë që demonstrojnë destruktivitet dhe agresivitet, por në anën tjetër kjo është edhe shprehje e frikës dhe e pafuqisë së tyre që Republika e Kosovës është më e fortë se kurrë, më e përparuar se kurrë dhe nuk mund të na ndalin, pavarësisht se çfarë planesh kanë apo çfarë dëshirash nuk iu treten ende”.