Bayern Munichu po punon për të siguruar një leje të veçantë që t’i mundësojë një portieri 16-vjeçar të luajë në ndeshjen e kthimit të raundit të 1/8-es në Ligën e Kampionëve, të mërkurën në mbrëmje.
“Bavarezët” përballen me Atalantën në “Allianz Arena”, pasi fituan bindshëm 6-1 në ndeshjen e parë në Bergamo.
Skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany po përballet me një krizë të madhe në repartin e portës.
Manuel Neuer është i dëmtuar në muskuj, ndërsa Jonas Urbig ka pësuar një tronditje të dyshuar që e la jashtë barazimit 1-1 ndaj Bayer Leverkusen.
37-vjeçari Sven Ulreich e zëvendësoi, por edhe ai u lëndua me një këputje të muskulit aduktor.
Ndërkohë, Leon Klanac, portieri titullar i ekipit të dytë të Bayern, është gjithashtu i dëmtuar, ndërsa zëvendësi i tij 19-vjeçar, Jannis Bartl, nuk ka bërë ende asnjë paraqitje në nivel senior.
Për këtë arsye, 16-vjeçari Leonard Prescott, i cili ishte në stol ndaj Leverkusenit, është kandidati kryesor për të startuar.
Nëse kjo ndodh, ai do të bëhet portieri më i ri titullar në historinë e Ligës së Kampionëve.
Megjithatë, ekziston një problem ligjor.
Ligji gjerman për mbrojtjen e të rinjve ndalon personat nën 18 vjeç të punojnë pas orës 20:00.
Ky problem u diskutua edhe gjatë UEFA Euro 2024, kur Lamine Yamal luante në moshën 16-vjeçare me Spanjën.
Sportistët mund të marrin një përjashtim të veçantë që u lejon të angazhohen deri në orën 23:00, por në rast se ndeshja shkon në vazhdime dhe penallti, kjo mund të krijojë problem.
Sipas gazetarit Jose I. Araoz, Bayerni po nxiton të sigurojë këtë leje speciale që gjithçka të zhvillohet normalisht dhe Prescott të luajë gjithë ndeshjen.
Nëse ai aktivizohet, do të duhet të pushojë një ditë të plotë, pasi ligji kërkon minimumi 14 orë pushim pas punës.
Prescott, 1.93 m i gjatë, ka lindur në Nju Jork, por ka përfaqësuar Gjermaninë në nivele të ndryshme të të rinjve.
Ai ka fituar UEFA Youth League dhe Kupën e të rinjve të DFB me Bayern.
Më parë ka punuar edhe si mbledhës topash dhe ishte pas portës së Neuer në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Lazios para dy vitesh.
Ndërkohë, Urbig u rikthye në stërvitje të hënën, por sipas “Sport1” mbetet e paqartë nëse do të jetë gati për t’u rikthyer.
Sipas protokolleve të UEFA-s për tronditje, një lojtar duhet të marrë miratimin e mjekut të ekipit dhe të kontrollohet nga një neurolog i pavarur për të marrë lejen përfundimtare./GazetaExpress/