Neil El Aynaoui, mesfushor i Romës, e ka përjetuar një natë të vërtetë tmerri bashkë me familjen e tij.
Gjatë natës mes të hënës dhe të martës, vetëm pak orë pas humbjes nga Como, një grup hajdutësh ka hyrë në apartamentin e lojtarit në Romës, duke e grabitur dhe duke krijuar panik të madh.
Sipas raportimeve, një bandë prej gjashtë personash, të armatosur dhe me fytyra të mbuluara, ka hyrë në shtëpi pasi e ka thyer dorezën e një dritareje, përcjell “Gazeta Express”.
Në momentin e hyrjes, El Aynaoui ndodhej në shtëpi së bashku me familjen.
Hajdutët e kanë kërcënuar dhe më pas e kanë mbyllur në një dhomë bashkë me nënën, partneren, vëllain dhe partneren e tij.
Kjo u ka dhënë kohë autorëve të veprojnë të qetë brenda banesës.
Pasi e neutralizuan familjen, grabitësit e kanë kontrolluar shtëpinë dhe kanë marrë sende me vlerë: bizhuteri rreth 10 mijë euro, një orë Rolex dhe çanta të markave të njohura.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit, duke e shkaktuar një tronditje të madhe për futbollistin dhe të afërmit e tij.
Menjëherë pas ngjarjes kanë ndërhyrë forcat e policisë, ndërsa çështja po hetohet nga njësia kundër grabitjeve, e cila është vënë në ndjekje të autorëve.
Fatmirësisht, pavarësisht frikës së madhe, nuk raportohet për të lënduar.
Ky nuk është rasti i parë i grabitjeve ndaj futbollistëve në Itali, por ndryshe nga rastet e mëparshme, këtë herë viktimat ndodheshin brenda shtëpisë gjatë sulmit – një detaj që e bën ngjarjen edhe më të rëndë. /Gazeta Express