Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesat e mbrojtjes për kundërshtimin e provave dhe hudhje të aktakuzës, duke konfirmuar kështu aktakuzën në rastin e “Rezervave shtetërore” ku po akuzohen ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muharremi.
“REFUZOHEN si të pa bazuara kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës, të parashtruar nga mbrojtësit e të pandehurve: Rozeta Hajdari av. Florent Latifaj, Irfan Lipovica av. Feim Alaj, Hafiz Gara av. Nazim Mehmeti dhe Ridvan Muharremi av. Mahmut Halimi, të ushtruara ndaj aktakuzës së Prokurorisë Speciale, e evidentuar me shenjën PPPS.nr.35/2023 të dt. 11.11.2025”, thuhet në vendimin e marrë më 13 mars 2026.
Në këtë rast, ish-ministrja Hajdari, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Ndërsa, afaristin Ridvan Muharremi i njohur si “Ridi”, PSRK-ja po e akuzon për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pretendimet e mbrojtjes:
Sipas vendimit, mbrojtësi i Hajdarit, avokati Florent Latifaj përmes kërkesës për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, ka pretenduar se në rastin konkret ekziston një pengesë absolute ligjore për ushtrimin efektiv të së drejtës për kundërshtimin e provave dhe për paraqitjen e kërkesës për hedhjen e aktakuzës, për faktin se e gjithë dosja e rastit penal është e klasifikuar si “Sekret Shtetëror”.
Kjo gjendje, sipas tij, është konfirmuar edhe përmes përgjigjes zyrtare të Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar (AMIK), sipas së cilës, qasja në dokumente të klasifikuara në këtë nivel nuk lejohet për asnjë person apo institucion që nuk është i pajisur me certifikatë të vlefshme sigurie, përveç rasteve kur dokumentet de-klasifikohen nga autoriteti që i ka klasifikuar.
Latifaj po ashtu ka theksuar se nuk kanë pranuar prova nga Prokuroria dhe nuk kanë pasur qasje në dosjen e lëndës si në fazën hetimeve po ashtu edhe në seancat gjatë marrjes në pyetje në Prokurori, fakt ky, sipas tij, i deklaruar në seancën e shqyrtimit fillestar. Ka shtuar se deri më tani as Prokuroria dhe as Gjykata nuk kanë iniciuar procedurë për deklasifikimin e dosjes.
“Në këtë rast provat janë marrë dhe përdorur në kundërshtim me Ligjin nr. 08/L-175 për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, janë administruar dokumente të pa de-klasifikuara, dhe janë vënë në procedurë penale pa respektuar kriteret dhe kërkesat ligjore. Ka konsideruar se të gjitha provat e tilla janë prova të papranueshme dhe duhet të përjashtohen nga dosja e lëndës sipas nenit 243 të Kodit të Procedurës Penale i cili përcakton se në rast kur provat janë marrë në mënyrë të paligjshme ato duhet përjashtuar nga lënda”, thuhet të ketë potencuar avokati Latifaj në kërkesë.
Gjithashtu, ka theksuar se mbrojtja nuk ka pranuar njoftim për zgjatje të afatit të hetimeve dhe nuk ekziston vendim gjyqësor i arsyetuar për vazhdimin e tyre. Andaj, i ka propozuar Gjykatës të shpallë të gjitha prova të papranueshme dhe të veçohen nga dosja penale, si prova të nxjerra në kundërshtim me rregullat e Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe të hudhë aktakuzën ndaj Rozeta Hajdarit.
I pandehuri Irfan Lipovica përmes mbrojtësit të tij, avokatit Feim Alaj, ka ushtruar kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtim të provave, i cili po ashtu pretendoi se e gjithë dosja e rastit penal është klasifikuar si “Sekret shtetëror”. Dhe se kjo gjendje u konfirmuar edhe nga AMIK.
Alaj ka shtuar se mbrojtja nuk ka pranuar prova nga ana e Prokurorisë dhe nuk ka pasur qasje në dosjen e lëndës si në fazat e hetimeve po ashtu edhe në seancat gjatë marrjes në pyetje në Prokurori nuk është ofruar mundësia për të pasur qasje në prova, me pretendimin se janë të klasifikuara.
Sipas tij, e drejta e kundërshtimit të provave nuk ka mundur të ushtrohet realisht, pasi mbrojtja nuk ka pasur qasje në prova, kështu nuk ka pasur mundësi të paraqes kundërshtim të arsyetuar. Ka shtuar se provat janë të papranueshme që nuk janë të sigurta dhe të administruara në mënyrë të ligjshme nga organet kompetente.
Edhe avokati Alaj ka thënë në kërkesë se mbrojtja nuk ka pranuar njoftim për zgjatjen e afatit të hetimeve. Ai ka propozuar të provat të shpallen të papranuneshme, pasi janë nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurave Penale të Republikës së Kosovës, Ligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe Ligjin për Rezervat Shtetërore, si dhe ta hudhë aktakuzën ndaj të pandehurit Irfan Lipovica,
Kurse, i pandehuri Hafiz Gara përmes mbrojtësit të tij, avokatit Nazim Mehmeti, ka ushtruar kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, ku ndër të tjera ka theksuar se aktakuza është e mbështetur në pretendime të pabazuara dhe të paargumentuara.
Sipas tij, Prokuroria ka shkelur Ligji për Mbrojtjen e Informacioneve të Klasifikuara, ku ende pa u deklasifikuar lënda sekrete janë ndërmarrë veprime hetimore në lidhje me këtë çështje penale në kundërshtim me këto dispozita ligjore. Ka thënë se Prokuroria nuk i ka përfshirë provat në aktakuzë për shkak se kanë të bëjnë me informacion sekret, ku në shumë vende e ka paraqitur të redaktuara dhe se edhe vetë e pranon se kemi të bëjmë me një dokument sekret.
“Me tej ka theksuar se, i mbrojturi i tij Hafiz Gara në cilësinë e drejtorit të Rezervave Shtetërore në kuadër të MINT-it, në bazë të autorizimeve te tij nuk kishte nënshkruar as një kontratë në lidhje me operatorët e as një veprim nuk kishte ndërmarr në lidhje me këtë çështje por veç se ka bërë një kërkesë të ligjshme duke ditur rrethanat e asaj kohe duke u thirrur në ligjin e Prokurimit nga neni 35 me procedurë të përshpejtuar, urgjente që është e ligjshme”, ka thënë Mehmeti në kërkesë.
Avokati Mehmeti ka thënë se nuk janë përmbushur elementet e veprës penale që i vihet në barrë Garës, kështu kërkoi të hudhet aktakuza ndaj tij.
Kurse, i pandehuri Ridvan Muharremi përmes mbrojtësit të tij, avokatit Mahmut Halimi, ka ushtruar kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, ku ka thënë se Muharremi në cilësinë e ndërmjetësuesit vullnetar, nuk ka pasur ndonjë kompetence për të vendosur rreth zhvillimit të negociatave, arritjes së marrëveshjeve apo përpilimit dhe modifikimit të kontratave të cilat janë objekt i kësaj çështje.
Halimi ka pretenduar se mbrojtjes i janë cenuar të drejtat e barazisë së armëve, pasi që nuk u ishin dorëzuar shkresat e lëndës. Dhe se kanë shprehur shqetësimet se provat janë të klasifikuara si sekret shtetëror, e si të tilla duhet të deklasifikohen.
Edhe avokati Halimi ka thënë se aktakuza është ngritur pas kalimit të afatit ligjor dhe se nuk kanë pranuar asnjë njoftim për zgjatje të afatit të hetimeve.
“Provat nuk janë marrë në mënyrë të ligjshme nga policia, prokurori i shteti ose organi tjetër qeveritar” dhe për këto arsye të i shpall këto prova të papranueshme, të hudhet aktakuza dhe të pushohet procedura penale”, thuhet të ketë kërkuar Halimi në kërkesë.
Kurse, prokurori special në përgjigjen e dorëzuar me shkrim, ka theksuar se në mënyrë të individualizuar dhe në ndërlidhje me njëra-tjetrën dhe në kronologji, janë përshkruar veprimet inkriminuese të të akuzuarve, duke prezantuar shumë fakte si dhe provat mbi bazën e të cilave vërtetohen këto fakte relevante nga të cilat provohet kryerja e veprave penale. Ka shtuar se nuk është identifikuar e as që ekziston ndonjë rrethanë e cila do të përjashtonte përgjegjësinë penale të të akuzuarve.
Prokurori po ashtu theksoi se aktakuza përmban listë të detajuar me provat e propozuara për administrim, mbi bazën e të cilave do të vërtetohet gjendja faktike e përshkruar në aktakuzë.
Aty thuhet se është vërtetuar se të pandehurit e kanë dëshiruar kryerjen e këtyre veprimeve, ngase për kundërligjshmërinë e tyre ishin njoftuar nga zyrtarët kompetent të MINT.
“Të pandehurit kanë qenë të vetëdijshëm se procedura e blerjes së mallrave të rezervës shtetërore duhej të zbatohej me procedurë të hapur të prokurimit publik, pa qenë e nevojshme që kjo procedurë të klasifikohet si “sekret”. Rrjedhimisht, klasifikimi i procedurës, është bërë në kundërshtim me ligjin”, citohet përgjigja e Prokurorisë në vendim.
Prokuroria vlerëson se procedura e deklasifikimit është e panevojshme dhe e pamundur të zbatohet në rastet kur klasifikimi është bërë në mënyrë të kundërligjshme.
Ndërsa sa i përket përgjigjes nga Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar (AMIK), të cilës i referohen mbrojtësit, prokurori thekson se me një logjikë të thjeshtë kuptohet se ajo është dhënë për situatat kur klasifikimi bëhet në pajtim me ligjin, por AMIK nuk ka qenë në dijeni se në rastin për të cilin njëri nga mbrojtësit ka kërkuar përgjigje, ka qenë klasifikim i kundërligjshëm, në kundërshtim me të paktën tri ligje.
“…e përsërisim faktin se asnjë nga zyrtarët e MINT përfshirë edhe të pandehurit, nuk kanë pasur dhe nuk kanë certifikatë të sigurisë. Madje për me tepër, në këtë proces me ftesën e të pandehurës Rozeta Hajdari dhe dijeninë e të pandehurve tjerë është kyçur edhe një person jo zyrtarë siç është rasti me tani të pandehurin Ridvan Muharemi. Bazuar në këto fakte, shtrohet pyetja se në rastin konkret, cili ishte qëllimi i klasifikimit të këtij procesi si “sekret”?”, ka arsyetuar Prokuroria.
Në fund, prokurori theksoi se nuk qëndrojnë as pretendimet se aktakuza është ngritur pas kalimit të afatit të hetimeve. Andaj, i ka propozuar gjykatës që kërkesat për kundërshtim të provave, si dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës t’i refuzojë dhe të caktojë shqyrtimin gjyqësor.
Gjykata pas shqyrtimit dhe vlerësimit të kërkesave, gjeti se kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave janë të pabazuara.
Themelorja thotë se është e kufizuar në analizën e saj në mënyrë që mos të paragjykojë epilogun e çështjes penale-objekt shqyrtimi, në meritum.
“Gjykata vlerëson se nuk janë plotësuar kushtet ligjore që do të arsyetonin hedhjen poshtë të aktakuzës në raport me të pandehurit e lartpërmendur, pasi që aktakuza mbështetet në prova të mjaftueshme dhe se tani për tani të njëjtat paraqesin kuantum të mjaftueshëm për të vërtetuar dyshimin e bazuar mirë lidhur me veprimet inkriminuese të përshkruara si në aktakuzë”, thuhet në vendim.
E gjithë kjo, shkalla e parë vlerëson se është duke u mbështetur në provat e bashkëngjitura në aktakuzë, e të cilat janë renditur edhe në këtë vendim.
Sipas vendimit, nuk qëndron pretendimi i mbrojtjes se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara në aktakuzë.
Nga përmbajtja e aktakuzës, Themelorja thotë se rezulton se Prokuroria ka bërë individualizimin e veprimeve të secilit të pandehur, duke përshkruar në mënyrë të detajuar veprimet inkriminuese që u atribuohen atyre.
Provat e propozuara në aktakuzë, sipas Themelores, janë të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë dhe për kalimin e çështjes në fazën e shqyrtimit gjyqësor.
Në vendim, thuhet se janë të pabazuara edhe pretendimet e mbrojtjes se aktakuza është ngritur jashtë afatit ligjor.
“Sa i përket pretendimeve të mbrojtësve të të pandehurve, Rozeta Hajdari av. Florent Latifaj, Irfan Lipovica av. Feim Alaj, dhe Ridvan Muharremi av. Mahmut Halimi, se aktakuza është ngritur jashtë afatit ligjor, me arsyetimin se hetimet kanë zgjatur më shumë se dy vite nga data e inicimit të tyre, përkatësisht nga data 17.08.2023, deri në datën e ngritjes së aktakuzës më datë 11.11.2025, gjykata vlerëson se këto pretendime janë të pabazuara”, thuhet në vendim.
Shkalla e parë arsyeton se nga shkresat e lëndës rezulton se Prokuroria, me aktvendimin për fillimin e hetimeve të datës 17 gusht 2023, ka iniciuar fazën hetimore në këtë çështje penale. Para përfundimit të afatit fillestar hetimor, më 22 korrik 2025, ajo i është drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake, me kërkesë për lejimin e afatit shtesë për vazhdimin e hetimeve, e cila kërkesë i ishte miratuar, dhe afati i ri ishte caktuar deri më 17 gusht 2026.
“Në këto rrethana, duke qenë se aktakuza është ngritur më datë 11.11.2025, pra brenda afatit të zgjatur hetimor të caktuar me aktvendim gjyqësor, gjykata vlerëson se ajo është paraqitur në përputhje me afatet ligjore të parapara në nenin 234, lidhur me nenin 157 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës. Për rrjedhojë, nuk ekziston bazë ligjore për hedhjen poshtë të aktakuzës mbi këtë pretendim”, thuhet në vendim.
Të pabazuar, Themelorja e gjen edhe pretendimin e mbrojtjes se të pandehurve u janë cenuar të drejtat lidhur me parimin e barazisë së armëve ndaj akuzës, të cilët kishin thënë se nuk i kanë pranuar të gjitha shkresat e lëndës. Aty thuhet se prokurori në ditën kur kishte dorëzuar aktakuzën në gjykatë, kishte kontaktuar mbrojtësit përmes telefonit dhe i kishte ftuar të shkojnë në Prokurori t’i marrin.
Kështu, Gjykata vlerëson se Prokuroria ka përmbushur obligimin ligjor, pasi u ka ofruar mbrojtjes mundësi të mjaftueshme që të pajisen me shkresat e lëndës.
Ndërkaq, lidhur me pretendimin e avokatit Halimi se kryetari i trupit gjykues pa dhënë ndonjë shpjegim ka përfunduar seancën, duke udhëzuar të akuzuarit dhe mbrojtësit që brenda afatit ligjor të kundërshtojnë aktakuzën dhe provat, Themelorja sqaron se pasi të akuzuarit janë pyetur të deklarohen rreth fajësisë, ata kanë thënë se nuk deklarohen pa pranuar shkresat e lëndës. Meqenëse gjykata ishte bindur se prokurori ka përmbushur obligimin ligjor, mosdeklarimi i të akuzuarve është marrë si mospranim i fajësisë, me ç’rast i ka udhëzuar ata dhe mbrojtësit e tyre që të paraqesin kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Sa i përketë përgjigjes se Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, të cilës Gjykata thotë se iu referohen mbrojtësit e të pandehurve, vlerëson se AMIK ka rol mbrojtjen e informacionit të klasifikuar që kanë të bëjnë me interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës. Në këtë rast, theksohet se aktakuza ka të bëjë me veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, për të cilën është zhvilluar procedura penale konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.
“Thënë ndryshe, objekt shqyrtimit janë veprimet e pretenduara inkriminuese në raport me veprat e lartcekura. Referenca e mbrojtësve lidhur me statusin e dokumentacionit siç pretendohet nga mbrojtja si i klasifikuar, nuk lidhet me objektin e aktakuzës përkatësisht veprën penale për të cilën akuzohen të pandehurit. Sa i përket provave të mbledhura, siç është theksuar më lartë, prima facie në këtë fazë të procedurës, Gjykata nuk gjen se të njëjtat janë nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale”, thuhet më tej në vendim.
Mbrojtja po ashtu ka pretenduar se provat janë marrë në kundërshtim me Kapitullin XVII të KPPRK-së, por pas shqyrtimit të këtyre pretendimeve, shkalla e parë vlerëson se këto pretendime janë të pabazuara, pasi rezulton se janë marrë në përputhje me dispozitat e Kapitullit XVII.
“Gjykata nuk ka gjetur se gjatë sigurimit të këtyre provave është cenuar ndonjë dispozitë procedurale apo ndonjë e drejtë themelore e të pandehurve që do të çonte në konstatimin e paligjshmërisë së tyre”, thuhet në vendim.
Po ashtu, Gjykata nuk gjen se redaktimi i disa pjesëve të aktakuzës kufizon të drejtat e të pandehurve për një gjykim të drejtë.
“Andaj, mbi bazën e të lartcekurave kërkesat e mbrojtësve të pandehurve Rozeta Hajdari av. Florent Latifaj, Irfan Lipovica av. Feim Alaj, Hafiz Gara av. Nazim Mehmeti dhe Ridvan Muharremi av. Mahmut Halimi, janë refuzuar si të pa bazuara në ligj, duke vlerësuar se nuk plotësohen konditat ligjore të parapara me dispozitat përkatëse në implementim për hedhje të aktakuzës”, thuhet në vendim, duke shtuar se pas administrimit të provave do të vendoset lidhur me përgjegjësinë penale dhe fajësinë eventuale të të pandehurve.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me propozim të mbrojtjes, ishte mbyllur për publikun seanca fillestare më 13 janar 2026 në rastin e “Rezervave shtetërore”.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 nëntor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit lidhur me rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”.
Ministrja Hajdari, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Ndërsa, afaristin Ridvan Muharremi i njohur si “Ridi”, PSRK-ja po e akuzon për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Betimi për Drejtësi” ka raportuar për aktakuzën e ngritur nga prokurorët specialë, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sipas aktakuzës së ngritur, buxheti është dëmtuar në lartësi prej 2,912,134.78 euro.
Bazuar në aktakuzën e PSRK-së, të pandehurit Rozeta Hajdari në cilësinë e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica si zëvendëssekretar dhe Hafiz Gara në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, duke iu shmangur procesit të konkurrencës, me procedurë të negocimit kishin negociuar dhe më pas nënshkruar kontratën me kompaninë turke “Yafe Turizm Indaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë, për blerjen e 10 mijë tonë grurë me çmim prej 4,834,778.00 euro. Aty thuhet se çmimi për blerje të grurit ishte kontraktuar 193.48 euro më i lartë sesa çmimi mesatar i tregut.
Në aktakuzë më tej thuhet se të pandehurit Hajdari, Lipovica dhe Gara kanë negociuar dhe nënshkruar kontratë edhe me kompaninë “Xanto SP. ZO. O” me seli në Gdynia të Polonisë për blerjen e 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer. Mirëpo, përkundër pagesës së kryer, malli nuk ishte pranuar asnjëherë.
Hajdari, Lipovica, Gara ngarkohen se zbuluan fshehtësinë zyrtare duke ia vënë në dispozicion Muharremit informatën për vendndodhjen e deponimit të grurit si mall i rezervës shtetërore.