Një sasi lënde plasëse u gjet mëngjesin e së hënës pranë makinerive të një kompanie inertesh në Spaç, Mirditë, duke alarmuar punonjësit e subjektit. Eksplozivi u zbulua gjatë nisjes së punës dhe punonjësit njoftuan policinë. Fatmirësisht, lënda plasëse nuk shpërtheu dhe nuk pati të lënduar apo dëme materiale.
Në vendngjarje mbërritën efektivët e policisë, ndërsa pritet edhe ndërhyrja e forcave xheniere për çaktivizimin e kontrolluar të eksplozivit.
Grupi hetimor ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe për të identifikuar autorët e mundshëm.
Ngjarja vjen vetëm një ditë pas një tjetër incidenti me lëndë plasëse në vend, ku mbrëmjen e kaluar në Lezhë tritoli iu vendos një automjeti në pronësi të një efektivi policie.