78 të akuzuar për “Koçanin”, klubin e djegur në RMV që 12 vjet punoi pa asnjë kriter - Gazeta Express
string(81) "78-te-akuzuar-per-kocanin-klubin-e-djegur-ne-rmv-qe-12-vjet-punoi-pa-asnje-kriter"

Lajme

Gazeta Express

16/03/2026 12:09

78 të akuzuar për “Koçanin”, klubin e djegur në RMV që 12 vjet punoi pa asnjë kriter

Lajme

Gazeta Express

16/03/2026 12:09

Një vjet nga tragjedia e Koçanit. Fjala më e shpeshtë për ngjarjen tragjike në kabarenë “Pulse” gjatë kësaj periudhe, ka qenë përgjegjësia për 63 jetët e humbura në rrethana të tmerrshme dhe mbi 200 të lënduarve të tjerë, në një objekt që s’i ka plotësuar kushtet minimale ligjore për të funksionuar. Sipas Prokurorisë, arsyeja e zjarrit janë mjetet piroteknike të cilat në mënyrë të paligjshme janë ndezur brenda objektit derisa ka performuar grupi DNK këngën “Çfarëdo që të dojë, le të bëhet”, shkruan Alsat.

Gjykimi i parë dhe më madhi ka nisur në nëntor të viti të kaluar. Aktualisht ndodhet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve të cilët në total janë mbi 280. Në listë janë edhe mbi 1.400 prova të cilat përfshijnë intervalin kohor prej 12 vitesh, aq sa ka funksionuar klubi deri në natën e kobshme. Askush nuk mund të parashikojë fundin e gjykimit. Pritjet janë që të jetë mjaftë i gjatë. 35 personat që ndiqen për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, rrezikojnë dënim me burg deri në 20 vjet. I pari mes tyre është pronari klubit, Dejan Jovanovski, por edhe djali dhe vëllai i tij. Ata mbahen përgjegjës se nëpërmjet procedurave të paligjshme kanë ridestinuar objektin për kabare edhe pse nuk i ka plotësuar kushtet minimale teknike. Nuk ka pasur plan për vlerësimin e rrezikut, mbrojtje dhe shpëtim, sistem kundër zjarrit, ndërsa është ndërtuar me materiale lehtësisht të djegshme.

Të akuzuar janë edhe dy ish ministra të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Valon Saraçini, por edhe ish sekretarja shtetërore Razmena Çekiq-Duroviq dhe 5 të punësuar të tjerë në këtë resor, pasi në këmbim të ryshfetit, “Pulse” ka siguruar licenca për punë edhe pse nuk i ka plotësuar kushtet ligjore. Në aktakuzë janë të përfshirë edhe tre ish kryetarët e Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, Ratko Dimitrovski dhe Nikolço Iliev, të cilët nuk kanë ndërmarrë veprime për të ndaluar funksionimin e klubit të natës edhe pse objekti nuk është parashikuar në Planin Detal Urbanistik të Koçanit.

Të akuzuar janë edhe katër drejtorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti, Shaban Saliu, Adnan Xhaferovski dhe Xhevat Selami, por edhe një inspektor i cili ka punuar në këtë drejtori. Të akuzuarit, nuk kanë organizuar mbikëqyrje për zbatimin e Ligjit për Mbrojtje dhe Shpëtim, ndërsa asnjëri prej drejtorëve nuk ka emëruar inspektor për Koçanin. Në listën e të akuzuarve janë edhe drejtori dhe 4 të punësuar në kompaninë e sigurimit që nuk u janë përmbajtur rregullave ligjore, 3 inspektorë ndërtimorë të Komunës së Koçanit, të cilët fare nuk kanë kryer mbikëqyrje inspektuese, por edhe 4 inspektorë nga Inspektorati i Tregut.

Ndërkohë në grupin e dytë janë 23 zyrtarë policorë, të cilët në mënyrë të kundërligjshme kanë dhënë leje për funksionimin e diskotekës. Akuza është ndarë në tre pjesë dhe është dorëzuar në janar. 13 zyrtarë policorë akuzohen se kanë zbatuar aksion kontrolli pa verifikim të plotë nëse janë respektuar dispozitat ligjore dhe procedurat e sigurisë. 9 për keqpërdorim zyrtar, pasi kanë dhënë leje për punë për kabarenë në vitin 2022 dhe 2023 dhe 3 të tjerë kanë shkruar gjoba me të dhëna të pasakta.

Ndërkohë është hapur dhe një hetim tjetër për 11 të punësuar në Drejtorinë për të Ardhura Publike. Mes tyre ka edhe inspektorë të cilët dyshohen për ryshfet dhe keqpërdorime për fshehje të tatimit lidhur me klubin “Pulse”. 

Advertisement
Advertisement
Advertisement