“S’di si do t’ia dalim, është shumë shtrenjtë!” Ky është shqetësimi që përsërisin qytetarët e Kosovës, ndërsa përballen çdo muaj me faturat e energjisë elektrike. Pyetja që secili i bën vetes është e njëjtë, “A do të mund të mbajmë familjen pa u rënduar nga shpenzimet? Ky shqetësim rritet edhe më shumë tani, pasi Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike KESCO ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE) rritje të çmimit deri në mbi 20 për qind të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026.
Ndërsa, sipas njohëseve të kësaj fushe, arsyeja kryesore për rritjen e paralajmëruar lidhet me një sërë faktorësh të akumuluar, përfshirë zvarritjen e procesit të hapjes së tregut të energjisë, mungesën e investimeve serioze në prodhimin e brendshëm dhe efiçiencë, si dhe vonesat në integrimin e tregut të Kosovës me rajonin.
Ndërsa vendimi pritet të merret me 1 prill, qytetarët bëjnë thirrje shtetit që të ndërhyjë në këtë drejtim.
Qytetari, Sherafedin Kulinxha thotë se çdo tre muaj çmimet rriten dhe se pensioni i tij nuk mjafton për të përballuar shpenzimet.
E për qytetarin, Bashkim Muçiqi ky parlajmrim është skandal.
Blerim Krasniqi thekson se vendimi për rritjen e çmimeve nuk është i qëndrueshëm për familjet, derisa thotë se këtu duhet të nderhyje qeveria.
Muharrem Kasumi thekson nevojën për një politikë energjetike të mençur dhe orientim strategjik drejt Perëndimit, duke përfshirë qytetarët, shtetin dhe opozitën në vendimmarrje.
E shtrenjetimin e tarifave nuk e përjashton as hulumtuesi i lartë në Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Dardan Abazi.
Ai thotë se vonesat në prodhimin e brendshëm dhe në hapjen e tregut të energjisë ndikojnë direkt në rritjen e çmimeve. Ai thekson se qytetarët duhet të kompensohen për importet me çmime të larta dhe kërkon publikimin sa më shpejt të raportit konsultativ të ZRRE-së.
Ai derisa thotë se po përgadisin komentet që do të dorozjne, shprehet se ZRRE-ja nuk ka kapacitete të mjaftueshme që t’i bëjë vizitat në terren, të shohë në qoftë se ato trafo që po shkruhen se po investohen vërtetë janë ardhë të tilla.
ZRRE pritet të shqyrtojë këtë kërkesë nga KESCO dhe do të marrë vendim nëse do ta pranojë apo jo.
Sipas kësaj kërkese të dorëzuar në ZRRE, KESCO ka kërkuar që të hyrat e lejuara maksimale për vitin e ardhshëm të jenë 528.78 milionë euro.
“Pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme për vitin e ardhshëm, kërkesa për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 është 528.78 milionë euro”, thuhet në kërkesën që kjo kompani ia ka dorëzuar Rregullatorit të Energjisë.
Kujtojmë se në maj të vitit 2025 , ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin 2024.
Në vitin 2023, ZRRE-ja pati aprovuar rritjen e çmimit të rrymës për 15 për qind.
Në vitin 2024, tarifat ishin ulur prej 8 për qind për konsumatorët familjarë që shpenzonin mbi 800 kilovatë si dhe për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind./KP