Chelsea ka fituar vetëm një nga pesë ndeshjet e fundit në Premierligë, pasi u mposht 1-0 nga Newcastle United në “Stamford Bridge”, duke komplikuar edhe më shumë garën për një vend në pesëshen e parë.
Rastin e parë e pati Chelsea pas një krosimi të mirë nga Alejandro Garnacho, por ish-lojtari i akademisë së klubit, Lewis Hall, largoi topin para se João Pedro të shënonte.
Më pas, Wesley Fofana iu afrua golit me kokë pas një goditjeje nga këndi.
Vendasit vazhduan presionin dhe krijuan raste me Cole Palmer dhe Garnacho, por goli erdhi kundër rrjedhës së lojës.
Joe Willock depërtoi pas mbrojtjes së Chelseat dhe pasoi për Anthony Gordon, i cili shënoi lehtësisht për 1-0.
Fofana pati edhe një moment tjetër të vështirë kur rrëzoi Gordonin, por pas verifikimit me VAR nuk u ndëshkua me karton të kuq.
VAR gjithashtu nuk dha penallti për Chelsean pas një dueli në zonë mes Reece James dhe Malick Thiaw.
Në pjesën e dytë u aktivizua Liam Delap, i cili rrezikoi menjëherë, por portieri Aaron Ramsdale bëri një pritje të mirë. Chelsea vazhdoi të kërkonte golin, por nuk arriti të thyejë mbrojtjen e kundërshtarit.
Delap iu afrua barazimit pesë minuta para fundit me një goditje me kokë që shkoi pranë shtyllës, ndërsa një goditje dënimi e James në kohën shtesë u përplas në shtyllë.
Megjithatë, Newcastle United arriti ta ruajë epërsinë dhe të marrë fitoren.
Kjo humbje i lë londinezët pa mundësinë për t’u barazuar me pikë me Aston Villa dhe Manchester United, ndërsa skuadra e drejtuar nga Eddie Howe ngjitet në vendin e nëntë dhe afrohet në gjashtë pikë nga Chelsea.
Chelsea momentalisht i ka 48 pikë, në vendin e pestë në tabelë, teksa Newcastle i ka 42 sosh në vendin e nëntë./GazetaExpress/