Bashkëpronari i Unitedit flet për të ardhmen e Carrickut si trajner - Gazeta Express
string(67) "bashkepronari-i-unitedit-flet-per-te-ardhmen-e-carrickut-si-trajner"

Futboll

Gazeta Express

14/03/2026 18:20

Bashkëpronari i Unitedit flet për të ardhmen e Carrickut si trajner

Futboll

Gazeta Express

14/03/2026 18:20

Bashkëpronari i Manchester Unitedit, Jim Ratcliffe, ka deklaruar se trajneri aktual i “Djajve të Kuq”, Michael Carrick, po bën një “punë të shkëlqyer”, por refuzoi të konfirmojë nëse ai do të emërohet trajner i përhershëm pas përfundimit të sezonit 2025/26.

Që nga momenti kur zëvendësoi Ruben Amorimin si trajner në janar, Carricku ka udhëhequr Unitedin drejt gjashtë fitoreve në tetë ndeshje, duke pësuar vetëm një humbje – në transfertë ndaj Newcastle United më 4 mars.

Aktualisht, Manchester Unitedi renditet në vendin e tretë në Premierligë para javës së 30-të, pozicion që do t’i siguronte kualifikimin në Ligën e Kampionëve nëse sezoni do të përfundonte kështu.

Megjithëse kontrata e Carrickut skadon në fund të këtij sezoni, shumë tifozë, analistë dhe ish-lojtarë kanë sugjeruar që ish-mesfushori duhet të emërohet trajner i përhershëm.

Vendimi përfundimtar do të merret nga drejtuesit sportivë të klubit: Omar Berrada, Jason Wilcox dhe Ratcliffe.

Duke folur të shtunën (14 mars) në “Chinese Grand Prix” në Shanghai për “Sky Sports”, Ratcliffe u pyet për të ardhmen e Carrickut.

“Ai po bën një punë të shkëlqyer, absolutisht,” tha ai.

Megjithatë, ai nuk pranoi të tregojë nëse Carrick do të marrë postin në mënyrë të përhershme: “Nuk do të hyj në atë temë”.

Më pas biseda kaloi te mundësia që Unitedi të kualifikohet në Ligën e Kampionëve.

“Po, sigurisht që po mendojmë për këtë. Por ka ende shtatë ose tetë ndeshje për t’u luajtur, kështu që ka ende kohë,” shpjegoi Ratcliffe.

Ndërkohë, ish-bashkëlojtarët e Carrickut tek United, Wayne Rooney dhe Gary Neville, diskutuan gjatë kësaj jave mundësinë që ai të bëhet trajner i përhershëm.

“Mendoj se nëse arrijnë Ligën e Kampionëve, Carricku duhet ta marrë punën,” tha Rooney. “Ai do ta vendoste veten në pozicionin kryesor nëse klubi kërkon trajner të ri”.

Nga ana tjetër, Neville sugjeroi që klubi duhet të mbajë opsionet e hapura.

“Manchester Unitedi duhet të kërkojë edhe trajnerë të tjerë, sepse nuk e di si do të shkojnë rezultatet. Por fakti që Thomas Tuchel rinënshkroi me Anglinë ul disa opsione për United dhe rrit shanset e Michaelit për ta marrë postin,” tha ai.

Ai shtoi se nëse Carricku e dërgon ekipin në Ligën e Kampionëve, presioni për emërimin e tij do të rritet, por klubi duhet të synojë trajnerin më të mirë të mundshëm për të minimizuar rrezikun.

Manchester United përballet me Aston Villën në “Old Trafford” të dielën (15 mars), përpara një udhëtimi te Bournemouthi më 20 mars, para pushimit ndërkombëtar që do ta lërë ekipin pa ndeshje për 24 ditë./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement