Kurti e negocioi zbatimin e ligjit për të huajt për t'iu krijuar lehtësira serbëve lokalë, BE flet për dialog intensiv, i përfshirë edhe Beogradi - Gazeta Express
string(142) "kurti-e-negocioi-zbatimin-e-ligjit-per-te-huajt-per-tiu-krijuar-lehtesira-serbeve-lokale-be-flet-per-dialog-intensiv-i-perfshire-edhe-beogradi"

Lajme

Gazeta Express

14/03/2026 10:40

Kurti e negocioi zbatimin e ligjit për të huajt për t’iu krijuar lehtësira serbëve lokalë, BE flet për dialog intensiv, i përfshirë edhe Beogradi

Lajme

Gazeta Express

14/03/2026 10:40

Kryeministri Albin Kurti ka pranuar të bëjë lehtësira për mënyrën e zbatimit të ligjeve për të huajt dhe për automjetet pas takimit që pati sot herët në mëngjes me emisarin e BE-së, Peter Sorensen.

Kërkesat e BE’së i ka shpalosur emisari Sorensen, raporton Gazeta Express.

“Në këtë kontekst, ne e konsiderojmë këtë si një përparësi kryesore që Qeveria e Kosovës të sigurojë leje qëndrimi për punëtorët dhe studentët e interesuar për një periudhë fillestare prej dymbëdhjetë muajsh, me qëllim parandalimin e çdo ndërprerjeje të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore”, ka thënë ai.

“Për të siguruar që shërbimet të mos ndërpriten, BE-ja i kërkon Kosovës të lejojë përdorimin e lejeve të njoftimit të lëshuara  nga Serbia jo më vonë se 15 Marsi 2026 për ata që jetojnë në Kosovë, si mjet identifikimi për proceset administrative. Në të njëjtën kohë, qeveria e Kosovës duhet të regjistrojë individët e pranueshëm në Sistemin Qendror të Regjistrit të Gjendjes Civile të Kosovës sipas Ligjit të Kosovës në përputhje me faktet e tyre të Gjendjes Civile” ka shtuar danezi.

Me kërkesat e BE’së është pajtuar Kryeministri Kurti, i cili konfirmimin e ka dhënë në paraqitjen për media me Sorensen e Orav.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës do t’u japë leje të përkohshme qëndrimi dhe t’ua njohë letërnjoftimet serbëve që nuk kanë dokumente të Kosovës për t’u regjistruar me to në sistem të Kosovës dhe t’i sigurojë leje qëndrimi për punëtorët dhe studentët e interesuar për një periudhë fillestare prej 12 muajsh me qëllim parandalimin e çdo ndërprerjeje të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore.

“Qeveria e Republikës së Kosovës poashtu do të hapë një dritare të re 3 mujore për të mundësuar qytetarëve të nacionalitetit serb të regjistrojnë faktet civile të cilat deri me datën 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë, aplikantëve do i lejohet edhe përdorimi, ekskluzivisht si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale. Ministria e Punëve të Brendshme do të nxjerrë udhëzime të detajizuara që mundësojnë regjistrimin e këtyre fakteve brenda Sistemit Qendror të Regjistrit Civil të Republikës ë Kosovës”.

Në një deklarim të përbashkët për media, kryeministri Albin Kurti, Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, si dhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, njoftuan se janë dakorduar për mënyrën e zbatimit të ligjeve për të huajt dhe për automjetet, nga të cilët më shumë do të prekej komuniteti serb në Kosovë.

Këto ligje do të nisin zbatimin e plotë të dielën.

Për të arritur këtë, Orav tha se pati “bisedime intensive” me Qeverinë e Kosovës gjatë javëve të fundit, ndërsa për emisarin Sorensen tha se “ka qenë në kontakt të afërt me Qeverinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje sa më të realizueshme”.

“Dua të falënderoj Kryeministrin Kurti për qasjen konstruktive, udhëheqësit politikë të serbëve të Kosovës dhe Përfaqësuesin Sorensen i cili ka qenë në kontakt të ngushtë me  Qeverinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje”.

Edhe Sorensen tha se do ta kenë parasysh angazhimin e kryeministrit Kurti “për të zbatuar ligjet e lartpërmendura, duke lejuar njëkohësisht mosndërprerjen e këtyre shërbimeve brenda kuadrit ligjor të Kosovës”.

Sorensen tha gjithashtu se çdo proces që prek këto institucione kërkon kohë, duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i konfirmuar brenda kornizës së të gjitha marrëveshjeve përkatëse të arritura brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe marrëveshjet tjera të BE-së dhe rajonale.

Ndërkaq, kryeministri Kurti në fjalën e tij tha se Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me listat e stafit akademik dhe shëndetësor që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve, “lista këto që do të shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të qëndrimit të përkohshme për qytetarët e huaj që aplikojnë në MBB”.

“Ministria e Punëve të Brendshme do ju ofrojë leje të përkohshme të qëndrimit me afat 12 mujor, me mundësi vazhdimi në rast të vazhdimit të studimeve. E njëjta procedurë aplikohet edhe për aplikantët e ri që regjistrohen në vitet e mëvonshme akademike. Paralelisht me këtë, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në koordinim të vazhdueshëm me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian dhe në bashkëpunim me ofruesit e këtyre shërbimeve publike fillojnë procedurat e domosdoshme dhe përcaktojnë afatet optimale për inkorporim të plotë, përfshirë këtu licensimin e institucioneve dhe të stafit të angazhuar”, tha Kurti.

Ligjet për të huajt dhe automjetet do t’u kërkojnë të gjithë atyre që nuk kanë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj ose vetëm në bazë të autorizimit.

Por, kjo ndryshoi pasi tani për tani serbët e Kosovës pa dokumente kosovare kanë mundësi të marrin leje të përkohshme qëndrimi prej 12-muajsh, si dhe të bartin si mjet identifikimi letërnjoftimet e lëshuara nga struktura të jashtëligjshme në vend.

Advertisement
Advertisement
Advertisement