Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën mbetet një nga kushtet kyçe për avancimin e Serbisë në procesin e integrimit evropian. Kështu theksohet në draft-raportin e raportuesit për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, i cili do të diskutohet javën e ardhshme në Komitetin për Punë të Jashtme të këtij institucioni.
Sipas raportit, përparimi i Serbisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian është ndalur vitet e fundit, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit dhe demokracisë. Dokumenti thekson se Serbia ka bërë pak ose aspak përparim në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në shumë kapituj negociues.
“Shprehim keqardhje për faktin që Serbia ka bërë përparim të kufizuar ose aspak në përmbushjen e standardeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian në shumë kapituj të tjerë negociues”, thuhet në draft-raport.
Serbia i ka nisur negociatat për anëtarësim në BE në janar të vitit 2014 dhe deri më tani ka hapur 22 nga 35 kapitujt negociues, ndërsa përkohësisht ka mbyllur vetëm dy prej tyre. Ajo mbetet gjithashtu i vetmi vend kandidat që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë.
Raportuesi Tonino Picula thekson se Serbia duhet të adresojë një sërë çështjesh urgjente, përfshirë polarizimin politik dhe tensionet në rritje në vend, nevojën për reforma strukturore në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Një nga kërkesat kryesore është arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si dhe harmonizimi i plotë i politikës së jashtme të Serbisë me atë të Bashkimit Evropian, veçanërisht në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë.
Megjithëse autoritetet serbe shpesh deklarojnë se anëtarësimi në BE është objektiv strategjik i vendit, raporti thekson se këto deklarata nuk reflektohen gjithmonë në praktikë. Si shembull përmendet mungesa e përfaqësuesve më të lartë të Serbisë në samitin BE–Ballkani Perëndimor të mbajtur në dhjetor të vitit 2025.
Dokumenti gjithashtu hedh poshtë pretendimet e disa zyrtarëve serbë se Bashkimi Evropian dhe disa shtete anëtare kanë qenë të përfshira në organizimin e protestave studentore që nisën në nëntor të vitit 2024 me qëllim nxitjen e një “revolucioni me ngjyra”.
PE dënon gjithashtu arrestimin dhe dëbimin e paligjshëm të qytetarëve të Bashkimit Evropian që kishin shprehur mbështetje për protestat studentore në Serbi.
Në raport shprehet shqetësim edhe për thellimin e krizës politike në vend, e cila është shoqëruar me protesta masive që, sipas dokumentit, pasqyrojnë reagimin e qytetarëve ndaj korrupsionit sistemik dhe mungesës së llogaridhënies dhe transparencës.
Dokumenti mbështet të drejtën e qytetarëve të Serbisë, përfshirë studentët, për të protestuar në mënyrë paqësore dhe dënon përdorimin e tepruar të forcës, dhunën policore, arrestimet dhe përndjekjen politike ndaj protestuesve, aktivistëve dhe gazetarëve.
Pas debatit në Komitetin për Punë të Jashtme më 17 mars, raporti pritet të plotësohet me amendamente dhe më pas të miratohet. Më vonë gjatë vitit ai do të votohet edhe në një seancë plenare dhe do të shndërrohet në rezolutë të PE
Edhe Komisioni Evripian në dy raportet e fundit për progresin e Serbisë – në fund të viteve 2024 dhe 2025 – kishte theksuar mungesën e përparimit në funksionimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave, si dhe kishte vënë në dukje shtimin e represionit ndaj protestave kundër qeverisë që nisën në fund të vitit 2024.
Reisebüro Prishtina ka kënaqësinë të njoftojë se, duke filluar nga 12 qershori, do të ofrojë fluturime direkte dy herë...