Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu në Politiko tha se ndërhyrjet e ambasadorëve në institucionet e Kosovoës nuk janë diçka e pazakontë, duke theksuar se raste të tilla kanë ndodhur edhe më parë në institucione të ndryshme të vendit.
Sallahu tha se nuk e ka parë prej disa ditësh kolegun e tij, Adnan Rrustemin i cili e ka ngritur këtë çështje për publikun përmes një postimi që e ka bërë në Facebook. Por Sallahu shtoi se nuk është për t’u habitur pasi që ai ka pasur mundësi të dëgjojë informacione të sakta për zhvillimet e fundit.
“Unë Adnanin nuk e kam parë qe disa ditë, por nuk e di pse po e merrni si befasi këtë, sepse duke e shtruar këtë pyetje po e ngritni zërin me një lloj çudie. Ajo që po dua të them është se, me gjasë, Adnani ka dëgjuar se ka informacion të saktë se diçka e tillë po ndodh”, tha Sallahu në Politiko.
Sipas tij, historikisht nuk është për t’u çuditur që të ketë ndërhyrje të tilla, pasi sipas tij, raste të ngjashme kanë ndodhur edhe në të kaluarën.
“Historikisht nuk është për t’u çuditur, sepse ne e dimë se ka pasur ndërhyrje të tilla, qoftë në gjykatë, qoftë në institucione të tjera. Ju e dini nga kush, sepse në këtë shtet po jetojmë. Ka pasur ndërhyrje të ambasadorëve në shumë situata konkrete brenda institucioneve të Kosovës, nuk është diçka e jashtëzakonshme”, deklaroi Sallahu. /Gazeta10