Paditet Zyra e Kryeministrit për rregulloren e Ministrisë së Shëndetësisë - Gazeta Express
string(73) "paditet-zyra-e-kryeministrit-per-rregulloren-e-ministrise-se-shendetesise"

Lajme

Gazeta Express

11/03/2026 13:03

Paditet Zyra e Kryeministrit për rregulloren e Ministrisë së Shëndetësisë

Lajme

Gazeta Express

11/03/2026 13:03

Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS) ka paraqitur padi ndaj Zyrës së Kryeministrit për konflikt administrativ në Gjykatën Supreme të Kosovës, duke kërkuar shfuqizimin e një pjese të rregullores për organizimin e brendshëm të Ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës.

Padia ka të bëjë me Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Shëndetësisë, të publikuar në Gazetën Zyrtare më 3 korrik 2024 dhe që ka hyrë në fuqi më 10 korrik 2024.

Sipas QIPS-it, dispozitat e kësaj rregulloreje nga neni 41 deri në nenin 46, që kanë të bëjnë me organizimin e Institutit Special në Shtime, janë në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësinë dhe Ligjim për Shëndetin Mendor.

Organizata paditëse vlerëson se këto dispozita rregullojnë organizimin dhe kompetencat e një njësie brenda Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), edhe pse një strukturë e tillë, sipas tyre, nuk është e përcaktuar në legjislacionin përkatës për shëndetësinë dhe shëndetin mendor.

Sipas pretendimeve të QIPS-it, rregullorja i jep kompetenca Institutit Special në Shtime për rehabilitimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijëve dhe të rriturve me aftësi të kufizuara intelektuale, ndonëse një rol i tillë nuk parashihet në mënyrë të qartë në ligjet në fuqi.

Organizata thekson se ligji për shëndetin mendor përcakton tre nivele të shërbimeve shëndetësore – kujdesin parësor, dytësor dhe tretësor – si dhe institucionet përkatëse, si departamentet e psikiatrisë në spitalet e përgjithshme, qendrat e shëndetit mendor në bashkësi, shtëpitë integruese dhe institucionet për rehabilitim dhe risocializim në Shtime. Sipas tyre, Instituti Special në Shtime nuk figuron si një nga këto shërbime.

QIPS argumenton se rregullorja e kontestuar cenon parimin e ligjshmërisë, pasi një akt nënligjor nuk mund të krijojë struktura apo kompetenca që nuk janë të parapara në ligj.

Padia është ngritur duke u bazuar në dispozitat e Ligji për Konfliktet Administrative, i cili lejon që organizatat që mbrojnë interesin publik të kërkojnë nga Gjykata Supreme shfuqizimin e akteve nënligjore që vlerësohen se janë në kundërshtim me ligjin dhe që mund të cenojnë interesin kolektiv.

QIPS-i ka kërkuar nga Supremja ta pranojë padinë dhe të shfuqizojë nenet 41,42,43,44,45 dhe 46 të Rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Shëndetësisë. /Koha

Advertisement
Advertisement
Advertisement