Ish-mesfushori i Interit, Real Madridit dhe Ajaxit, Wesley Sneijder, është rikthyer sërish në fushën e futbollit në moshën 41-vjeçare.
Holandezi e bëri debutimin e tij me skuadrën amatore OSM ’75 Maarssen, që garon në divizionin e nëntë të futbollit holandez, duke hyrë në lojë rreth 20 minuta para fundit të ndeshjes.
Vendimi për t’u rikthyer në fushë nuk ishte rastësi, shkruajnë mediat holandeze, përcjell “Gazeta Express”.
Sneijder e zgjodhi këtë klub sepse është një skuadër e lidhur me familjen e tij: vëllai i tij Rodney është lojtar i ekipit, ndërsa vëllai tjetër Jeffrey është pjesë e stafit teknik.
Ish-ylli i kombëtares së Holandës shpjegoi se dëshira për të luajtur futboll nuk është zhdukur kurrë:
“Futbolli mbetet loja më e bukur. Nëse ende mund të luajmë, pse të mos e bëjmë?”
Sneijder e kishte njoftuar tërheqjen nga futbolli profesionist në vitin 2019, por rikthimi i tij në një nivel amator i ka befasuar shumë tifozë dhe ka ngjallur nostalgji te adhuruesit e futbollit. /Gazeta Express