Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Kushtetuese ankesën lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, bëjnë të ditur nga Zyra për media e kësaj partie për KosovaPress.
Osmani shpërndau Kuvendin në një konferencë për media të premten, ku nuk pranoi pyetje nga gazetarët.
Ky veprim i saj nxiti reagime të shumta, ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje u konsiderua të jetë akt kundërkushtetues.
Të enjten, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedh presidentin.
Kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu tha mbrëmjen e së enjtes se nuk mund të vazhdohet me votimin, meqë në sallë nuk ishin prezent 80 deputetë. Ndërkohë që Haxhiu njoftoi se LVV i ishte drejtuar mënjherë Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për t’i pezulluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, vendimi i presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit erdhi mëngjesin e së premtes.
Në konferencën për media Osmani madje tha se se deri në shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës e kanë sjellë vendin, siç tha ajo, “njerëz me qëllime të rrezikshme”. E nga LVV kanë thënë se ajo duhet të tregojë se për kënd e kishte fjalën. Megjithatë, deri më sot (e hënë), presidentja Osmani nuk ka pasur ndonjë paraqitje mediale lidhur me këtë çështje.