Në nderim dhe përkujtim të Berit Backer - Gazeta Express
string(39) "ne-nderim-dhe-perkujtim-te-berit-backer"

OP/ED

Gazeta Express

08/03/2026 20:21

Në nderim dhe përkujtim të Berit Backer

OP/ED

Gazeta Express

08/03/2026 20:21

Shkruan: Xhavit Haliti

Sot shënohet 33-vjetori i shkuarjes në përjetësi të Berit Backerit, mikes së madhe të shqiptarëve, e cila zë një vend të veçantë në fillet e historisë së solidaritetit ndërkombëtar me Kosovën. Pata fatin ta njoh personalisht gjatë viteve 1987–1988, në kuadër të zgjerimit të veprimtarisë së LPK-së në emigracion, konkretisht në Norvegji, në një periudhë kur çështja e Kosovës ishte ende larg vëmendjes së strukturuar ndërkombëtare.

Kontributi i saj për Kosovën gjatë viteve ’80-ta dhe në fillim të viteve ’90-ta ishte i jashtëzakonshëm. Angazhimi i saj u intensifikua veçanërisht pas vendosjes së bashkëpunimit me LPK-në, menjëherë pas Mbledhjes së Parë të Përgjithshme të LPK-së në vitin 1987, duke shënuar një fazë të re në përpjekjet për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

Falë insistimit, autoritetit dhe integritetit të saj profesional, Komiteti Norvegjez i Helsinkit u bë organizata e parë perëndimore që e përfshiu çështjen e Kosovës në agjendën e saj zyrtare. Ky ishte një moment historik me rëndësi, pasi për herë të parë angazhimi për Kosovën u institucionalizua brenda një organizate perëndimore me ndikim real në diskursin ndërkombëtar mbi të drejtat e njeriut.

Në këtë kuadër, në vitin 1988, Berit Backer, së bashku me bashkëpunëtorët e saj të ngushtë, Kristoffer Gjøtterud, nënkryetar i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, dhe Nufri Lekën, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, themeluan Grupin për Kosovën brenda Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Me mbështetjen e plotë të Komitetit, ky grup u shndërrua shpejt në një platformë kyçe për veprimtari ndërkombëtare në mbështetje të Kosovës, duke krijuar ura të qëndrueshme komunikimi ndërmjet strukturave politiko-shoqërore të Kosovës dhe institucioneve perëndimore.

Grupi për Kosovën ndërmori një sërë iniciativash me rëndësi strategjike, ndër të tjera: para shembjes së Murit të Berlinit, inkurajoi dhe mbështeti udhëtimin e delegacionit të parë faktmbledhës mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë; organizoi vizitën e parë të një delegacioni politik nga Kosova në Perëndim, të kryesuar nga Ibrahim Rugova, në Oslo, në shkurt 1990; si dhe përgatiti vizitat dhe programet për Delegacionin e Kuvendit të Kosovës në disa shtete perëndimore, menjëherë pas shpalljes së Deklaratës së 2 korrikut 1990. Krahas këtyre, grupi inkurajoi dhe mbështeti krijimin e bërthamave të para të shoqërisë civile në Kosovë dhe në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë, Berit Backer dha këshilla të çmuara për figura kyçe të spektrit politik të Kosovës, përfshirë Adem Demaçin, Ibrahim Rugovën dhe të tjerë, duke kontribuar në formësimin e një qasjeje strategjike të rezistencës politike të shqiptarëve të Kosovës, të bazuar në vizion afatgjatë dhe legjitimitet ndërkombëtar.

Kontributi i Berit Backerit mbetet i përjetshëm në historinë e përpjekjeve për lirinë e Kosovës. Ajo përfaqëson një shembull të rrallë të solidaritetit parimor ndërkombëtar në një periudhë kur Kosovës i mungonte përkrahja e “të huajve” dhe kur kishte nevojë jetike që zëra të pavarur, profesionalë dhe të besueshëm të informonin dhe të bindnin kancelaritë politiko-diplomatike perëndimore për realitetin e rëndë politiko-shoqëror në Kosovë.

Lavdi kujtimit të saj.

Advertisement
Advertisement
Advertisement