Të nderuar opozitarë, të nderuar LDK dhe PDK, faji pse po shkojmë përsëri në zgjedhje është tërësisht i juaji dhe përgjegjësia kryesore tani bie mbi ju. Jo sepse Albin Kurti dhe njerëzit e tij kanë të drejtë, janë të mirë apo kanë një vetëdije politike shtetërore më të lartë sesa e juaja. Por sepse ju, edhe një herë, po provoni se nuk dini të bëni politikë të zgjuar dhe se e vetmja gjë që ju intereson është pushteti në shtet.
Dhe po përpiqeni ta arrini këtë jo përmes ideve, por përmes krizave.
Shkruan: Fadil Sahiti
Kriza e ardhshme në Kosovë tashmë po përvijohet. Një absurditet i ri politik na pret. Do të kemi zgjedhje të reja për herë të tretë dhe atë brenda pothuajse një viti. As Britania e Madhe nuk mund ta paguajë faturën për këtë krizë. Ne mundemi. Dhe arsyeja formale është po aq absurde sa vetë zgjedhjet. Opozita nuk mund të tolerojë një president që imponohet nga fituesit e zgjedhjeve, zgjedhje që i kanë humbur. Si qeveria ashtu edhe opozita vazhdojnë ta trajtojnë shtetin si një skenë për manovrime taktike politike dhe jo si një sferë të përgjegjësisë publike.
Le të jemi të qartë që në fillim. Ky editorial nuk synon të mbrojë as VV-në dhe as udhëheqësin e saj. Mënyra se si janë sjellë dhe kanë ushtruar pushtetin deri më tani ka shenja të qarta autoritarizmi. Askush që e merr seriozisht demokracinë nuk mund ta injorojë këtë. Por pikërisht sepse kjo është e vërtetë, opozita duhet të kishte qenë më e përgjegjshme, jo më e papjekur.
Dhe në vend të pjekurisë politike, opozita ka vendosur të prodhojë edhe një krizë tjetër. Në këtë periudhë historike “të trazuar”, interesi i Kosovës nuk është loja simbolike se kush do të bëhet president. Për shumicën e njerëzve, nuk ka asnjë rëndësi ekzistenciale nëse Vjosa apo Glauku do të jenë në krye të shtetit. Të dy janë produkte të së njëjtës kulturë dhe të së njëjtës logjikë pushteti. Pyetja ekzistenciale në këtë kohë është nëse shteti do të ketë institucione funksionale apo jo. Ne nuk e kemi luksin të sillemi si një laborator ku fabrikohen kriza politike joekzistente.
Nëse interesi parësor do të ishte shteti dhe jo pushtetu, opozita do të duhej të zgjidhte rrugën e thjeshtë: të merrte pjesë në proces, të siguronte kuorumin dhe të votonte kundër kandidatëve të propozuar nga VV. Nuk besoj se dikush do ta interpretonte këtë si mbështetje për qeverinë. Përkundrazi, ky veprim do të shënonte një akt minimal të përgjegjësisë shtetërore. Por, ky veprim kërkon diçka që opozita jonë duket se e ka humbur gjatë kohës kur e sundonte Kosovën: ndjenjën e shtetit dhe interesat e tij.
Opozita ka zgjedhur krizën, sepse duket se krizat politike krijojnë material pune për të. Kjo luftë e imagjinuar, në kulturën tonë politike më shumë se çdo gjë tjetër, zëvendëson qartë mungesën e ideve dhe programeve politike.
Ajo që po demonstrojnë të dyja partitë opozitare në Kosovë – LDK dhe PDK – është mungesa e aftësisë për të reflektuar saktë dhe ndershmërisht. Ato ende nuk e kanë kuptuar se më shumë se për pushtet, kanë nevojë për një reformë rrënjësore brenda vetes. Jo reforma kozmetike dhe retorike, siç kanë bërë deri më tani.
LDK dhe PDK nuk kanë ndryshuar fare. Shikoni listat e tyre parlamentare. Të njëjtët njerëz; të njëjtat mendësi; të njëjtat mekanizma pushteti. Nuk mund të presësh rezultate të reja me të njëjtët aktorë të së kaluarës. Motoja pushtet me çdo kusht duhet të zëvendësohet me reforma me çdo kusht; duhet të krijohen ide të reja; duhet të ndërtohen modele të vërteta qeverisjeje që japin shpresë.
Opozita duhet të kuptojë se Kosova nuk mund të qeveriset më nga njerëz, kapitali i vetëm politik i të cilëve është lufta, ose filozofia ‘rugaviane’. As njëra dhe as tjetra nuk janë monedha politike që prodhojnë qeverisje të mirë. Jetojmë në një epokë krejtësisht tjetër, në të cilën vetëm ata që dinë të zgjidhin problemet reale lulëzojnë.
Gjithçka tjetër është vetëm teatër politik.
Prandaj, të nderuar opozitarë, të nderuar LDK dhe PDK, faji pse po shkojmë përsëri në zgjedhje është tërësisht i juaji dhe përgjegjësia kryesore tani bie mbi ju. Jo sepse Albin Kurti dhe njerëzit e tij kanë të drejtë, janë të mirë apo kanë një vetëdije politike shtetërore më të lartë sesa e juaja. Por sepse ju, edhe një herë, po provoni se nuk dini të bëni politikë të zgjuar dhe se e vetmja gjë që ju intereson është pushteti në shtet.
Dhe po përpiqeni ta arrini këtë jo përmes ideve, por përmes krizave.