Një gjyshe 55-vjeçare vdiq pasi mori pa dashje një dozë të tepërt të një antidepresivi shumë të përshkruar, sipas një hetimi zyrtar mbi vdekjen e saj.
Grace Uludag, nga Kent në Angli, u gjet me nivele të larta të ilaçit sertraline në gjakun e saj kur ndërroi jetë në shtëpi në nëntor të vitit të kaluar.
Një ditë para vdekjes ajo ishte ndier keq, duke raportuar marramendje dhe vështirësi në frymëmarrje. Asaj i ishte këshilluar të telefononte ambulancën, por sipas familjarëve shpesh hezitonte të shkonte në urgjencë për shkak të pritjeve të gjata.
Më 11 nëntor, ajo u ndje sërish e marramendur në shtëpi, u rrëzua dhe goditi kokën në mur. Vajza e saj thirri menjëherë ambulancën dhe në vendngjarje mbërritën paramedikët, por gruaja pësoi arrest kardiak dhe vdiq në shtëpi.
Nivele të rrezikshme të ilaçit në gjak
Analizat toksikologjike treguan se në gjakun e saj kishte 1.94 miligramë sertralinë për litër, një nivel që ekspertët e konsiderojnë potencialisht fatal. Sipas specialistëve, përqendrimet mbi 1.5 mg për litër mund të kontribuojnë në vdekje.
Gjykatësja e çështjes konkludoi se gruaja vdiq si pasojë e një mbidoze, por nuk kishte asnjë provë që ajo ishte marrë qëllimisht.
“Një mbidozë aksidentale është shkaku i vdekjes dhe nuk ka asnjë tregues se ajo kishte mendime vetëvrasëse”, u tha gjatë hetimit.
Shkaku mjekësor i vdekjes u regjistrua si mbidozë aksidentale me sertralinë, e cilësuar si një “pasojë e papritur dhe e paqëllimshme”.
Një nga antidepresivët më të përdorur
Sertralina, e njohur edhe me emrat tregtarë Lustral në Britani dhe Zoloft në SHBA, është ndër antidepresivët më të përshkruar.
Vetëm në Angli, gjatë vitit 2024 janë dhënë mbi 24.4 milionë receta për këtë ilaç.
Ajo bën pjesë në grupin e barnave të quajtura SSRI (inhibitorë selektivë të rimarrjes së serotoninës), të cilët rrisin nivelin e serotoninës në tru – një kimikat që ndikon në humor dhe mirëqenie.
Këto medikamente përdoren zakonisht për trajtimin e:
depresionit
çrregullimit obsesiv-kompulsiv
sulmeve të panikut
stresit post-traumatik
ankthit social
Doza fillestare zakonisht është 50 mg në ditë, ndërsa doza maksimale e rekomanduar është 200 mg në ditë.
Rreziqet e mbidozës
Helmimi nga këto antidepresivë mund të shkaktojë simptoma si:
të përziera dhe të vjella
dridhje
përgjumje
nervozizëm
rrahje të shpejta të zemrës
Në raste të rënda mund të ndodhin edhe kriza konvulsive.
Në raste të rralla, nivelet shumë të larta të serotoninës në trup mund të shkaktojnë sindromën e serotoninës, një gjendje potencialisht kërcënuese për jetën.
Sipas shërbimit shëndetësor britanik, kjo mund të ndodhë sidomos kur antidepresivët kombinohen me ilaçe të tjera që rrisin serotoninën, si:
disa barna për migrenën (triptanët)
qetësues të dhimbjes si tramadoli dhe metadoni
disa suplemente bimore si St John’s wort dhe xhensen
disa shurupe për kollë që përmbajnë dextromethorphan
Simptomat përfshijnë konfuzion, agjitacion, djersitje, dridhje, spazma muskulore dhe diarre.
Efekte të tjera anësore
Antidepresivët SSRI janë kritikuar shpesh edhe për ndikimin e tyre në jetën seksuale, pasi mund të ulin ndjeshëm dëshirën seksuale.
Megjithatë, mjekët theksojnë se këto barna përdoren gjerësisht dhe konsiderohen përgjithësisht të sigurta kur merren sipas udhëzimit të mjekut.
Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë gjithashtu që pacientët nuk duhet t’i ndërpresin papritur antidepresivët, pasi kjo mund të shkaktojë simptoma tërheqjeje.
Dhimbja e familjes
Në një deklaratë të lexuar gjatë hetimit, familja e gruas theksoi se nuk kishte asnjë shenjë që ajo kishte dashur të dëmtonte veten.
“Ajo jetonte për familjen dhe nipërit e mbesat, të cilët i sillnin shumë gëzim dhe tani e ndjejnë shumë mungesën e saj”, thuhej në deklaratë.
Vajza e saj ngriti gjithashtu pyetje se si mund të kishte ndodhur një mbidozë e tillë.
“Ajo thjesht donte të ndihej më mirë. Nuk e priste kurrë që të ndodhte diçka e tillë,” tha ajo gjatë seancës. /GazetaExpress/