Personat që vuajnë nga alergjitë sezonale mund të kenë arsye të forta për të shmangur disa pije gjatë fundjavës, veçanërisht në një kohë kur nivelet e polenit pritet të jenë të larta.
Sipas parashikimeve, përqendrimi i polenit të pemëve do të arrijë nivele të larta, duke rritur ndjeshëm rrezikun për simptoma të tilla si teshtima, bllokim i hundëve dhe kruarje e syve. Në këto kushte, ekspertët sugjerojnë kufizimin e konsumit të alkoolit, pasi ai mund të përkeqësojë reagimet alergjike.
Arsyeja kryesore lidhet me përmbajtjen e histaminës në shumë pije alkoolike. Histamina është një substancë natyrale që lirohet nga sistemi imunitar gjatë reaksioneve alergjike dhe ndikon në intensifikimin e simptomave. Konsumimi i alkoolit, që përmban këtë përbërës, mund të rrisë më tej shqetësimet tek personat e ndjeshëm.

Sipas mjekëve, kjo krijon një kontradiktë edhe për ata që përdorin antihistaminikë, pasi ndërkohë që medikamentet synojnë të ulin efektin e histaminës, alkooli mund ta shtojë atë në organizëm.
Veçanërisht vera e kuqe konsiderohet problematike, pasi përmban nivele më të larta histamine për shkak të procesit më të gjatë të fermentimit. Në krahasim, pijet e forta të distiluara si vodka, xhini apo rumi i bardhë kanë përmbajtje më të ulët, ndërsa disa verëra të bardha mund të jenë më pak problematike.
Megjithatë, specialistët theksojnë se alternativa më e sigurt në ditët me nivel të lartë poleni mbetet shmangia e plotë e alkoolit, për të reduktuar sa më shumë simptomat e alergjisë. /GazetaExpress/