Ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, dje ka tërhequr kandidaturën e tij për President të vendit.
Ai tha se drejt këtij vendimi e shtyri mospërkrahja nga partitë kryesore parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, për konceptin e një kandidati konsensual,
Bajrami ka thënë se vetofrimi i tij kishte për qëllim “ekskluzivisht kontributin në tejkalimin e krizës së thellë politike dhe institucionale, në të cilën, sipas tij, vendi po hyn në vitin e dytë”.
Sipas tij, përvoja me “mbi tri dekada në proceset shtetndërtuese do të vihej në funksion të unitetit politik dhe qytetar, si dhe të garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve të Kosovës”.
Bajrami nënvizoi se angazhimi i tij nuk “kishte motive personale apo karriere, por ishte shprehje e përgjegjësisë qytetare dhe gatishmërisë për t’i shërbyer vendit në një moment të ndjeshëm për demokracinë dhe stabilitetin institucional”.
Ai i uroi sukses cilitdo president apo presidente që do të zgjidhet, duke shprehur “gatishmërinë që në kapacitetin e tij akademik dhe profesional, të kontribuojë në proceset shtetformuese dhe në forcimin e institucioneve demokratike”.
Në fund ai ka falënderuar ata që i dërguan mesazhe mbështetëse pasi e lajmëroi vetofrimin e tij.