Kryeministri Albin Kuri doli në foltoren e Kuvendit në seancën solemne për Epopenë e UÇK-së, i hodhi sytë nga letra ku kishte shkruar fjalimin e tij, më pas i çoi lart dhe e shikoi presidenten Vjosa Osmani, e cila ishte e ulur përballë.
“E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani Sadriu…”, nisi Kurti fjalën e tij.
Kurti tha ndër tjerash se “krahas së qeni një ditë nderimi, sot është ditë reflektimi për rrugën që kemi bërë dhe për atë që na pret”.
“Sot ne jemi shtet i një populli liridashës që gjithmonë është rreshtuar në anën e drejtësisë”, tha ai ndër tjerash.
Kjo ditë “reflektimi” sot, shënon në mesnatë edhe përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Lëvizja Vetëvendosje dje pasdite e hodhi poshtë zyrtarisht mundësinë që ta mbështesë Osmanin për presidente edhe për një mandat, të cilin ajo po e kërkon. Në vend të kësaj, partia e Kurtit vendosi që ta kandidojë Glauk Konjufcën për president.
Për t’u thirrur seanca e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, nevojitet edhe një kandidat tjetër. LVV-ja ka kërkuar që kandidati tjetër të vijë nga opozita, por partitë opozitare kanë thënë se nuk hyjnë në një garë me një rezultat të paracaktuar. Kjo do të bënte që kandidati i LVV-së të zgjidhej president në rundin e tretë të votimit, meqenëse partia e Kurtit e ka në Kuvend shumicën prej 61 votave që nevojitet në atë rast.
Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci tha mbrëmë se i kishin ofruar Osmanit 30 nënshkrimet e nevojshme për të kandiduar, por se ajo kishte refuzuar.
Nga Presidenca thanë se Osmanit i ishte ofruar vetëm mundësia që “të hyjë në garë vec sa per formalitet”, por jo përkrahja me votë në Kuvend, e cila në këtë rast është zhvendosur te Konjufca.