Pas një takimi të mbajtur dje në Qeveri, ministri i Bujqësisë Dragan Glamoçiq dhe përfaqësuesit e fermerëve mbajtën konferenca për media pothuajse në të njëjtën kohë, por me qëndrime të ndryshme për rezultatin e bisedimeve.
Ndërsa ministri deklaroi se është arritur dialog dhe se politika është lënë mënjanë, fermerët theksuan se nuk është arritur asnjë marrëveshje dhe se takimi nuk ka dhënë rezultat konkret.
Sipas raportimit të gazetares së N1, fermerët janë duke u kthyer në vendet e tyre për të vazhduar bllokadat, ku më pas do të vendosin për hapat e ardhshëm.
Fermeri Slobodan Vidoviq nga fshati Bresnica tha se ata nuk janë të kënaqur me bisedimet, duke shtuar se u diskutuan shumë tema, por pa zgjidhje konkrete.
“Masat që po ofrohen tani duhej të ishin ndërmarrë para një ose dy vitesh që të mos arrinim në këtë situatë. Tani për shumë gjëra është vonë. Jemi në kredi, kemi borxhe dhe çmimi i qumështit nuk është i leverdishëm. Aktualisht nuk ka asnjë zgjidhje,” tha ai.
Ndërkohë, Milorad Majstoroviq nga Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Shumadisë dhe Pomoravës theksoi se nuk është e arsyeshme që vendi të importojë produkte ndërkohë që prodhimi vendas derdhet.
“Çdo shtet i mbron prodhuesit e vet. Nga Ministria nuk po kërkojmë para, por vetëm mbrojtjen e prodhimit tonë. Do të takohemi me anëtarët për të vendosur hapat e mëtejshëm, por mendoj se ndoshta për herë të parë në histori traktorë nga e gjithë Serbia mund të vijnë në Beograd,” deklaroi ai.