Trepça fiton në mënyrë dramatike ndaj Pejës pas vazhdimeve - Gazeta Express
string(58) "trepca-fiton-ne-menyre-dramatike-ndaj-pejes-pas-vazhdimeve"

Basketboll

Gazeta Express

04/03/2026 21:57

Trepça fiton në mënyrë dramatike ndaj Pejës pas vazhdimeve

Basketboll

Gazeta Express

04/03/2026 21:57

Kampionia në fuqi dhe fituesja e Kupës së Kosovës në basketboll, Trepça, po vazhdon me formë të lartë. 

Trepça të mërkurën mbrëma, ndonëse me vështirësi, arriti ta fitojë edhe ndeshjen e fortë në udhëtim te GO+ Peja.

Me fitoren që u vendos pas vazhdimeve, Trepça e konfirmoi vazhdimin e dominimit në elitën e basketbollit kosovar.

Në palestrën “Karagaçi” në Pejë, në kuadër të xhiros së 22-të të Superligës së Kosovës në basketboll, Trepça e regjistroi fitoren e 13-të rresht, ecuri që nisi më 10 dhjetor në fitoren ndaj Bashkimit. Skuadra mitrovicase fitoi ndaj Pejës me rezultatin 98 – 95. 

Vendësit, që patën përforcime para mbylljes së afatit kalimtar dimëror, arritën ta fitojnë çerekun e parë me rezultatin 20 – 13. 

Por, dallimin në rezultat, Trepça e bëri në periudhën e dytë të cilën e fitoi 29 – 18, për të shkuar në pushim me katër pikë dallim, 42 – 38. 

Çereku i tretë i takoi skuadrës pejane 26 – 24, dhe në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes hyri me dy pikë disavantazh, 66 – 64. 

Madje 7 minuta e gjysmë para fundit, Peja kaloi në epërsi 71 – 70 me pikët e Musab Malës.

Ishte pikërisht Mala që një sekondë para mbylljes së takimit qëlloi me saktësi për tri pikë për 87 – 87 për ta dërguar ndeshjen në vazhdime. 

Edhe vazhdimet u vendosën në sekondat e fundit. 

Ja’Cori Payne, gjashtë sekonda para fundit të gjithë ballafaqimit, shënoi për tre pikë për 98 – 95, rezultat me të cilin u mbyll edhe ndeshja. 

Tentimi i Cecil Williams për ta barazuar rezultatin ishte i pasaktë dhe fitorja me tre pikë u takoi mysafirëve.

Payne ishte më i dalluari në fitoren e Trepçës.

Ai i shënoi 27 pikë dhe kontribuoi me pesë kërcime e tri asistime. 

Me 16 pikë, pesë kërcime e po aq asistime në fitore kontribuoi Kenny Hasbrouck. 

Cesare Edwards shkëlqeu te Peja, por që 30 pikët e 17 asistimet e tij nuk mjaftuan për ta shmangur disfatën. Ai e mbylli ndeshjen edhe me dy asistime. 

Trepça vazhdon të mbetet lidere në elitë me 41 pikë, pas 19 fitoreve e tri disfatave. Peja është në vendin e katërt i ka 32 pikë./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement