Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka reaguar ashpër ndaj sjelljeve të regjistruara gjatë dy ndeshjeve të para gjysmëfinale të “play-offit” në Superligën e Kosovës, të zhvilluara në Pejë dhe Mitrovicë.
Sipas FBK-së, gjatë këtyre ndeshjeve janë konstatuar fyerje të organizuara në kor nga tribunat ndaj lojtarëve, veprime që bien ndesh me parimet bazë të respektit, integritetit dhe “fair-playit” në sport.
Federata e ka cilësuar veçanërisht shqetësuese ndeshjen në Pejë, ku përveç fyerjeve nga tribuna, janë përdorur edhe mjetet e zërimit të palestrës për të transmetuar mesazhe fyese, pavarësisht paralajmërimeve zyrtare gjatë ndeshjes.
FBK-ja ka theksuar se një praktikë e tillë është e papranueshme dhe nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë.
Në reagim, Federata ka rikujtuar se përgjegjësia për garantimin e një ambienti të sigurt dhe të respektueshëm bie mbi organizatorët e ndeshjeve, përfshirë kontrollin e përdorimit të sistemeve të komunikimit në palestër dhe sjelljen e tifozëve.
FBK ka bërë të ditur se tashmë ka ndërmarrë masa disiplinore në përputhje me rregulloret në fuqi dhe do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet në fazat e mbetura të garës. Po ashtu, paralajmëron se çdo përsëritje e këtyre sjelljeve do të trajtohet me masa shtesë dhe pa përjashtim.
Në fund, Federata e Basketbollit e Kosovës thekson përkushtimin e saj për zhvillimin e garave sipas standardeve ndërkombëtare dhe vlerave sportive, duke nënvizuar se “respekti dhe integriteti janë të panegociueshme”./GazetaExpress/