Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka lëshuar reagim zyrtar lidhur me sulmet e sotme të SHBA-së ndaj Iranit. MPJD thotë se ky sulm po kryhet ndaj regjimit të Ajetollahëve në Iran dhe se Kosova qëndron krah Presidentit amerikan, Donald Trump, në përpjekjen për të ndalur regjimet që kërcënojnë popujt e lirë dhe për të mbrojtur stabilitetin global.
“Qëndrojmë të vendosur kundër regjimit iranian dhe në mbështetje të Presidentit Trump, duke u solidarizuar me popullin iranian për një të ardhme të lirë dhe demokratike”, thuhet në reagimin e ministrisë që drejtohet nga Glauk Konjufca.
Reagimi i plotë:
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një sulm ushtarak ndaj regjimit të Ajatollahëve në Iran, një regjim që për dekada ka shtypur popullin e vet, ka destabilizuar rajonin dhe ka kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Ne qëndrojmë krah Presidentit Donald Trump në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë, për të mbrojtur stabilitetin global dhe për të mbështetur aspiratat legjitime të popullit iranian për liri, dinjitet dhe demokraci.
Regjimet që shtypin qytetarët e tyre, që mbështesin dhunën ndaj vendeve demokratike dhe që kërcënojnë popuj të tjerë, nuk mund të jenë faktor paqeje.
Liria, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë vlera universale që meritojnë mbrojtje të palëkundur.
Qëndrojmë të vendosur kundër regjimit iranian dhe në mbështetje të Presidentit Trump, duke u solidarizuar me popullin iranian për një të ardhme të lirë dhe demokratike.