SHBA ka njoftuar se do të lejojë rishitjen e një pjese të naftës venezuelase drejt Kubës, në një lëvizje që mund të lehtësojë mungesat e karburantit në ishull, ndërkohë që vendet fqinje kanë ngritur alarmin për një përkeqësim të shpejtë të situatës humanitare të shkaktuar nga bllokada amerikane e naftës.
Në një deklaratë të mërkurën, Departamenti i Thesarit i SHBA-së bëri të ditur se do të autorizojë kompanitë që kërkojnë licensa për rishitjen e naftës venezueliane për “përdorim komercial dhe humanitar në Kubë”. Sipas njoftimit, politika e re “favorizuese e licencimit” nuk do të përfshijë “persona apo entitete të lidhura me ushtrinë kubane, shërbimet e inteligjencës apo institucione të tjera qeveritare”.
Venezuela kishte qenë furnizuesi kryesor i naftës bruto dhe karburantit për Kubën për 25 vitet e fundit, përmes një pakti dypalësh të bazuar kryesisht në shkëmbimin e produkteve dhe shërbimeve. Por pasi SHBA rrëmbeu presidentin venezuelian Nicolas Maduro muajin e kaluar dhe mori kontrollin e eksporteve të naftës së vendit, furnizimet e Karakasit drejt Kubës janë ndërprerë.
Meksika, që ishte shfaqur si furnizues alternativ, gjithashtu ndaloi dërgesat drejt ishullit të Karaibeve pasi SHBA kërcënoi me tarifa vendet që dërgojnë naftë në Kubë. Bllokada amerikane ka përkeqësuar krizën energjetike në Kubë, duke ndikuar në prodhimin e energjisë elektrike dhe furnizimin me karburant për automjetet, banesat dhe aviacionin.
Ndryshimi i politikës amerikane erdhi ndërsa liderët e Karaibeve, të mbledhur në Saint Kitts and Nevis, shprehën shqetësim për ndikimin e bllokadës mbi shtetin ishullor me rreth 10.9 milionë banorë. Duke folur para liderëve rajonalë gjatë një takimi të grupit politik rajonal CARICOM të martën, kryeministri i Jamaica, Andrew Holness, shprehu solidaritet me Kubën. “Vuajtja humanitare nuk i shërben askujt,” tha Holness. “Një krizë e zgjatur në Kubë nuk do të mbetet e kufizuar vetëm në Kubë”.
Mikpritësi i samitit të Karaibeve, kryeministri i Saint Kitts dhe Nevis, Terrance Drew, i cili ka studiuar në Kubë për t’u bërë mjek, tha se miqtë e tij i kanë raportuar mungesa ushqimore. “Një Kubë e destabilizuar do të na destabilizojë të gjithëve,” u shpreh Drew. Megjithatë, duke iu drejtuar takimit në Saint Kitts dhe Nevis të mërkurën, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pretendoi se kriza humanitare është shkaktuar nga politikat e qeverisë kubane dhe jo nga bllokada e Uashingtonit.
Rubio, prindërit e të cilit emigruan në SHBA nga Kuba në vitin 1956, paralajmëroi se sanksionet do të rivendosen menjëherë nëse nafta përfundon në duart e qeverisë apo ushtrisë. “Kuba duhet të ndryshojë. Duhet të ndryshojë në mënyrë dramatike sepse kjo është e vetmja mundësi që ka për të përmirësuar cilësinë e jetës së popullit të saj,” u tha Rubio gazetarëve.
Ai shtoi se bëhet fjalë për “një sistem në kolaps, që ka nevojë për reforma të thella”. Rubio fajësoi keqmenaxhimin ekonomik dhe mungesën e një sektori privat funksional për situatën e rëndë në Kubë, e cila është nën qeverisje komuniste që nga revolucioni i vitit 1959 i udhëhequr nga Fidel Castro. “Kjo është klima më e keqe ekonomike me të cilën është përballur Kuba. Dhe janë autoritetet atje, qeveria që mbajnë përgjegjësinë për këtë,” deklaroi Rubio.
Ndërkohë, Meksika dhe Kanadaja kanë njoftuar se do të dërgojnë ndihma për Kubën, ndërsa zëvendëskryeministri rus Alexander Novak ka deklaruar se qeveria e tij po shqyrton mundësinë e furnizimit me karburant për ishullin. Veçmas, të mërkurën Ministria e Brendshme e Kubës njoftoi për vrasjen e katër personave dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve në bord të një motobarke të regjistruar në Florida, e cila sipas autoriteteve kishte hyrë në ujërat kubane.
Rubio deklaroi para gazetarëve se nuk bëhej fjalë për një operacion amerikan dhe se asnjë personel i qeverisë amerikane nuk ishte i përfshirë. “Mjafton të themi se është shumë e pazakontë të shohësh përplasje me armë në det të hapur si kjo”, tha ai. “Nuk është diçka që ndodh çdo ditë. Sinqerisht, është diçka që nuk ka ndodhur me Kubën prej shumë kohësh”.