Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka zbardhur telefonatën që zhvilloi me presidentin e SHBA, Donald Trump. Në bisedën telefonike për luftën në Ukrainë dhe mundësisë për paqe morën pjesë gjithashtu edhe të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
“Ekipet tona po punojnë shumë tani dhe i falënderova për të gjitha përpjekjet dhe përfshirjen e tyre në negociatat për t’i dhënë fund luftës.”, tha Zelensky pas bisedës me liderin amerikan.
Ai theksoi se diskutuan për çështjet mbi të cilat do të punohet në bisedimet e paqes në Gjenevë dhe në negociatat e ardhshme trepalëshe në mars.
Këto bisedime, shtoi ai, shpreson që do të vijojnë më pas në nivel udhëheqësish.
“Shpresojmë se kjo do të na lejojë të kalojmë në negociata në nivelin e udhëheqësve. Presidenti Trump mbështet këtë sekuencë hapash.
Vetëm në këtë mënyrë mund t’i zgjidhim të gjitha çështjet komplekse dhe të ndjeshme dhe më në fund t’i japim fund luftës.”, shtoi presidenti ukrainas. /Panorama