Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së pas refuzimit për të marrë pjesë në Këshillin Shtetëror për organizimin e Epopesë së UÇK-së ka hartuar vetë një program për shënimin e kësaj ngjarje.
Kjo organizatë njoftoi se sot u mbajt takimi i parë i Këshillit të tyre Organizues për organizimin e manifestimit me rastin e 28 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në këtë takim u formua edhe grupi punues, i përbërë nga kryetarët e degëve të OVL UÇK-së, të cilët do të jenë përgjegjës për koordinimin dhe realizimin e aktiviteteve në nivel qendror dhe lokal. Takimi u kryesua nga Hysni Gucati, dhe gjatë mbledhjes u shqyrtua në detaje organizimi i manifestimit treditor, me theks të veçantë në ndarjen e detyrave, përgjegjësive dhe koordinimin ndërmjet degëve”.
Pas diskutimeve dhe konsultimeve të përbashkëta, OVL e UÇK-së tha se Këshilli Organizues miratoi logon zyrtare të manifestimit dhe propozon për aprovim këtë agjendë të aktiviteteve.
Kjo është logoja e propozuar nga , OVL e UÇK-së, e cila ngjan me atë të Këshillit Shtetëror.


Kjo është agjenda e propozuar nga grupi punues për aktivitetet, për të cilën organizata tha se pritet të aprovohet nga Këshilli Organizues i Epopesë së UÇK-së në ditët në vijim:
5 Mars:
Pritje për vizitorët në Zyrën Qendrore, si dhe në të gjitha degët e kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së.
Ftohen institucionet arsimore që orën e parë të mësimit t’ia kushtojnë Epopesë së UÇK-së.
6 Mars:
Homazhe në ora 09:30 tek Kompleksi Memorial në Prekaz.
Homazhe në ora 10:00 tek Kompleksi Memorial në Marinë.
Në të njëjtën kohë, homazhe do të mbahen nga strukturat e dala nga lufta e UÇK-së në të gjitha komplekset memoriale në mbarë.
7 Mars:
“Nata e Zjarreve” – ndezja simbolike e zjarreve në shtatë ish-zonat operative të UÇK-së, në ora 18:00.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka vendosur të mos jetë pjesë e organizimit shtetëror të Ministrisë së Mbrojtjes, duke thënë se thirrjen që e morën nga kjo ministri më shumë i ngjau “një urdhërese administrative sesa një ftese për bashkëpunim të barabartë institucional”.