Policia e Shtetit të Shqipërisë, është deklaruar rreth rastit të policit atje, që u kap me 1 milion euro në Merdarë. Policia shqiptare e ka konfirmuar pezullimin e tij nga detyra.
Policia e Shtetit, në reagimin e saj, thekson se polici A.K, dhe dy shtetas të tjerë janë kapur duke transportuar 1 milion euro të padeklaruara tek autoritetet doganore, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni.
Njoftimi:
Policia e Shtetit
Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit pezullon nga detyra 2 punonjës policie.
Pezullimet u vendosën pas nisjes së hetimeve disiplinore për:
-punonjësin e Policisë, Inspektor A. K., me detyrë Ndihmësspecialist për Operacionet Policore në Seksionin për Operacionet Policore në Komisariatin e Policisë Nr. 5, Tiranë, për shkelje të nenit 121, pika 2, germa “b”, “Përdorimi i statusit të punonjësit të Policisë, me qëllim krijimin e përfitimeve për vete ose për të tjerët”, dhe germa “dh”, “Raste të tjera të sjelljes që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut te Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës”, të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.
Më datë 24.02.2026, shtetasi A. K. dhe dy shtetas të tjerë janë kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe doganore të Kosovës, në fshatin Merdarë, duke transportuar 1 milion euro të padeklaruara tek autoritetet doganore, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni;
-punonjësin e Policisë, Inspektor K. Gj., me detyrë Trupë Shërbimi Operacionale në Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, për shkelje të nenit 121, pika 1, germa “m”, “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”, të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.
Më datë 21.02.2026, dyshohet se shtetasi K. Gj. ka goditur një shtetas të shoqëruar në ambientet e Stacionit të Policisë Patos, me pretendimin se i shoqëruari ishte konfliktuar në një market në Patos me disa persona dhe, gjatë konfliktit, kishte ofenduar bashkëshorten e shtetasit K. Gj., e cila ishte punonjëse e marketit.
Krahas hetimit administrativ që po kryhet nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po vijon hetimin penal ndaj tyre.