Rastet kur monumentet marrin flakë, nuk janë të rralla. Kryeqyteti po ashtu hyn në hartën e aseteve të trashëgimisë kulturore që përfshihen nga zjarri. Në njëvjetorin e djegies së një pjese të konsiderueshme të kulmit të ish-“Kino Rinisë”, zjarri ka plasur në bodrumin e ish-shtypshkronjës, “Rilindja”. Aseti i trashëgimisë kulturore, që gëzon mbrojtje të përkohshme si ndërtesa e ish-pallatit të shtypit “Rilindja”, është përfshirë nga flakët duke dëmtuar edhe dosje zyrtare që gjenden aty. Bëhet fjalë për një zjarr të ditëve të fundit për të cilin shteti – institucionet e trashëgimisë kulturore – s’kanë ende ndonjë raport të detajuar për dëmet.
Në atë kompleks pritet të zërë vend edhe Muzeu i Artit Bashkëkohor, institucion i themeluar në letër qysh prej janarit të vitit 2024.
Zjarri në ndërtesën e ish-shtypshkronjës është vërejtur në ditën e 13-të të këtij muaji. Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë ka përgatitur një raport fillestar nga vendi i ngjarjes. Nëpërmjet tij ka njoftuar për situatën Ministrinë e Kulturës, Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore.
“Pas pranimit të informacionit për rastin në fjalë, përmes mjeteve të informimit, zyrtarët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Hapësira e lokacionit të monumentit ishte e siguruar nga Njësia e Zjarrfikësve, e cila po vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme për menaxhimin dhe vënien nën kontroll të situatës”, shkruhej në raportin e asaj dite. Institucionet janë njoftuar se nëpërmjet kontaktit telefonik me zëvendëskomandantin e Njësisë së Zjarrfikësve, Abdulsamed Shkodra, QRTK-ja është njoftuar se hapësira e përfshirë nga zjarri, bazuar në vlerësimet fillestare, dyshohet të jetë një depo me libra protokolli dhe pako të ndryshme. Sipas zjarrfikësve, siç shkruhet në raport, zjarri është i shtresëzuar dhe, për shkak të kompleksitetit të situatës, janë angazhuar ekipe shtesë për ta vënë plotësisht nën kontroll.
“Pas deklarimit të sigurisë së ndërtesës nga autoritetet kompetente, QRTK-Prishtinë, në koordinim me Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore dhe institucionet përkatëse të trashëgimisë kulturore, do të realizojë evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara, si dhe do të rekomandojë masat e nevojshme për sanimin dhe konsolidimin e tyre”, shkruhet në raport.

Deri të martën e kësaj jave, ekipet e QRTK-së dhe Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore nuk kanë dalë në vend të ngjarjes për të hartuar raport të detajuar për gjendjen dhe dëmet e shkaktuara.
Ndërtesa i takon dhe është nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ajo ndërtesë aktualisht është hapësirë krejtësisht e braktisur, pa funksionon dhe shërben për t’u strehuar gjatë natës të pastrehët e kategori të tjera. Shenjat e zjarrit janë të qarta. Nga bodrumi janë nxjerrë edhe disa dokumente që gjendeshin poshtë. Nga ato që ka parë KOHA, bëhet fjalë për dëshmi punësimesh e të tjera të viteve ’70 dhe ’80. Janë hedhur në hyrje si mbeturina.
Prej vitit 2022, ajo pjesë e kompleksit “Rilindja” është monument në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Sa i përket sallës së ish-shtypshkronjës “Rilindja” është vlerësuar pjesë e ndërtesës që u takon viteve ‘70, që paraqesin vitet e zhvillimeve të rëndësishme në fushën shoqëroro-politike të Kosovës. Pallati i Shtypit u projektua në vitin 1971 nga arkitekti maqedonas, modernisti Georgi Konstantinovski. Pas luftës së fundit, brutalizmi që shpërfaqej në krejt ndërtesën është shpërfytyruar nëpërmjet një rinovimi që e ka “veshur” ndërtesën me pllaka të metalta.
“Vlera historike që lidhen me vlerat raritare si e vetmja ndërtesë në Kosovë, që ndërlidhet me industrinë e shtypit dhe aktivitet i veçantë për nga ndikimi i vet në lirinë e shprehjes; Vlera estetike si krijimtari e një artisti të kohës, përkatësisht lidhja me arkitektin Georgi Konstantinovski; Vlera estetike të mishëruara dhe të ruajtura në sallën e shtypshkronjës”, shkruhet në arsyetimin e marrjes së këtij aseti nën mbrojtje.

Aty shtypej gazeta “Rilindja” bashkë me krejt botimet e asaj që ishte Krahinë Autonome në kuadër të Ish-Jugosllavisë. Shtypshkronja punonte me porosi edhe për vende të tjera.
“Rilindja” ishte gazeta e parë shqipe në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare të mbetura nën Jugosllavi.
Prej numrave të saj të parë, që dilnin vetëm në katër faqe, në ditët e saj më të mira “Rilindja” shitej deri në 234 mijë kopje në ditë. Me historinë e gazetës ishte e lidhur edhe veprimtaria e dendur e shtëpisë botuese “Rilindja” dhe e shtypshkronjës me po të njëjtin emër. Për ata që punuan aty, historia e zhvillimit intelektual e kulturor të Kosovës është e lidhur ngushtë me atë që është vlerësuar si një prej organizimeve më të forta ekonomike në vend krahas fabrikave metalurgjike të dikurshme. Në vitin 2019 ishte lansuar platforma digjitale “Arkivi Rilindja”, një projekt i ideuar nga shkrimtarja Ervinë Halili.
Sallës e shtypshkronjës, qysh prej vitit 2009, kur objekti i ish-“Rilindjes” ishte mbyllur kur ka pushuar së botuari gazeta “Rilindja”, dyert i janë hapur përkohësisht me rastin e ndonjë ngjarjeje a koncerti. Më 2022 për disa muaj aty zuri vend instalacioni “Brutal Times” i artistit turk, Cevdet Erek, në kuadër të bienales evropiane të artit, “Manifesta 14”.
Institucionet shtetërore jo gjithmonë janë në gjendje të merren me ndërtesat që kaplohen nga zjarri. KOHA këtë javë ka raportuar se ish-“Kino Rinia” në lagjen “Qafa” në Prishtinë, e lënë pas dore prej kohësh, ka imazhin e njëjtë edhe kur ka kaluar më shumë se një vit prej zjarrit që e kaploi më 7 shkurt të vitit të kaluar. E vetmja masë e ndërmarrë qe rrethimi për shkaqe sigurie si rrjedhojë e gjendjes së rëndë fizike të objektit të mbrojtur në letër si aset i trashëgimisë kulturore. Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë ka bërë me dije se ka plan për ndërhyrje emergjente derisa ende nuk ka raport për vlerësim të dëmeve.
Objekti, dikur qendër e jetës artistike dhe shoqërore në kryeqytet, tash i lënë në harresë, i mbyllur dhe i tjetërsuar, kulmin e brutalitetit e pati me djegien e fundit, një vit më parë. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore nëpërmjet inspektimit kishte ardhur në përfundim se ndërtesa është në gjendje të rëndë fizike si pasojë e intervenimeve të paplanifikuara dhe mungesës së mirëmbajtjes. QRTK-së dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve u ishte rekomanduar të bëjnë vlerësim të dëmeve nga zjarri. Por me arsyetimin se kulmi përmban edhe azbest nuk është bërë asnjëherë ky raport. E Komuna e Prishtinës s’ka kthyer përgjigje për këtë rast.