Autoritetet spanjolle kanë nisur procedurat për shembjen e hotelit të braktisur Hotel Añaza në Tenerife, i njohur në zonë si “Hoteli Fantazmë”, duke i dhënë fund një çështjeje që zgjat prej më shumë se pesë dekadash.
Sipas Daily Mail, ndërtesa 22-katëshe që dominon vijën bregdetare të Acorán, në jug të Santa Cruz de Tenerife, do të shembet me një kosto të vlerësuar prej 2,3 milionë eurosh, e cila do të mbulohet nga fondet publike.
Siç rikujton media britanike, godina në formë Y u ndërtua në vitin 1973 me synimin për të funksionuar si hotel me 741 dhoma. Megjithatë, vetëm dy vjet më vonë projekti u braktis, pasi u zbulua se punimet kishin avancuar pa lejen e nevojshme urbanistike dhe në një zonë ku nuk ishte miratuar një zhvillim kaq i gjerë turistik. Ndërtuesi raportohet se i shteroi burimet financiare dhe u largua nga ishulli, duke lënë pas një “skelet” masiv prej betoni.
Struktura e papërfunduar shtrihet në një truall prej rreth 2.350 metrash katrorë dhe vlera e saj tregtare sot llogaritet në vetëm 48 mijë euro. Sipas Daily Mail, ekzistojnë rreth 900 pronarë të regjistruar të objektit, shumë prej tyre shtetas të huaj, të cilët nuk do të marrin asnjë kompensim financiar nga investimi i tyre.
Pesë viktima dhe paralajmërime të përsëritura
“Hoteli Fantazmë” është lidhur me incidente të rënda sigurie dhe pesë humbje jete, duke rritur presionin për një zgjidhje përfundimtare. Mes viktimave është edhe një vajzë 13-vjeçare, e cila humbi jetën në dhjetor 2025 pasi hyri ilegalisht në ndërtesë me miqtë e saj dhe ra nga një kat i lartë.
Raste të tjera fatale përfshijnë rënie nga lartësi të mëdha dhe hedhje me parashutë nga tarraca, ndërsa herë pas here persona kanë hyrë në ambient për të filmuar video të rrezikshme.
Autoritetet që në vitin 2016 kishin urdhëruar marrjen e masave të sigurisë, përfshirë vendosjen e një rrethimi rreth katër metra të lartë dhe tabelave paralajmëruese. Në vitin 2019 urdhri u përsërit, me kërkesë shtesë për instalimin e kamerave të sigurisë dhe sinjalistikë në më shumë gjuhë. Pavarësisht masave, hyrjet e paligjshme vazhduan, ndërsa shkelësit përballen me gjoba që tejkalojnë 500 euro.
Sipas një njoftimi të publikuar në Buletinin Zyrtar Provincial (BOP), është miratuar procedura e shpronësimit të detyrueshëm, me arsyetimin se nuk është përmbushur “funksioni social i pronës”, pasi objekti mbetet i papërfunduar dhe pa lejet e nevojshme. Njëkohësisht është dhënë afat njëmujor për paraqitjen e kundërshtimeve ose ankimimeve.
Shembja parashikohet të realizohet gjatë periudhës 2026–2027 dhe konsiderohet një operacion kompleks, për shkak të pozicionit të ndërtesës në një zonë të thepisur bregdetare, si dhe pranisë së materialeve të rrezikshme, si azbesti.