Fotografi të reja të profesorit të njohur Stephen Hawking, si edhe pamje nga streha sekrete e Jeffrey Epstein në Paris, që përfshihen në dosjen e Departamentit amerikan të Drejtësisë për të dënuarin për pedofili, janë publikuar nga media ndërkombëtare.
Në fotografinë e parë, Hawking shfaqet mes dy vajzave të reja me bikini, të cilat mbajnë pije në duar. Edhe pse nuk është sqaruar vendi ku është realizuar fotoja, nuk përjashtohet mundësia që ajo të jetë shkrepur në ishullin Little Saint James, në pronësi të Epstein në Ishujt e Virgjër.
Sipas Daily Mail, Stephen Hawking ishte një nga 21 shkencëtarët që Epstein kishte ftuar në këtë ishull në vitin 2006. Emri i profesorit të njohur të Kembrixhit, i cili u nda nga jeta në vitin 2018 pas betejës me sëmundjen ALS, përmendet 250 herë në dosjen Epstein, pa u lidhur deri më tani me ndonjë veprimtari të paligjshme.
Në të njëjtën kohë, gazeta franceze Le Parisien publikoi fotografi nga apartamenti i Epstein në Paris. Në pamje shihen, ndër të tjera, një tavolinë masazhi, lodra erotike dhe fotografi të grave nudo në mure.
Apartamenti në fjalë, me 18 dhoma, ndodhet në Avenue Foch, ndërsa prokurorët francezë vlerësojnë se ai është përdorur për kryerjen e krimeve të rënda seksuale.
Fotografitë janë pjesë e një hetimi të vitit 2019, pas kallëzimeve për përdhunim ndaj Jean-Luc Brunel, agjent francez i modeleve dhe mik i vjetër i Epstein.
I gjithë apartamenti, i blerë në vitin 2001, ishte i lyer me nuanca të kuqe, portokalli dhe rozë, ndërsa në mure kishte fotografi të grave të zhveshura, përfshirë një imazh ku Epstein shfaqet pranë dy grave topless.
Prona kishte gjithashtu një dekor të pazakontë me elementë kafshësh, nga brirë antilopeje dhe një elefant të vogël të balsamosur e një shkabë, deri te mobilie të mbuluara me lëkurë artificiale tigri.
Vlen të theksohet se pas publikimit të dosjeve Epstein nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, autoritetet franceze kanë hapur dy hetime të reja: një për trafikim qeniesh njerëzore dhe një tjetër për krime të dyshuara financiare.