Rusia do të jetë në gjendje që ta vazhdojë pushtimin e Ukrainës gjatë tërë këtij viti, duke iu bërë ballë trysnive ekonomike e mungesës së fuqisë njerëzore, ndërsa kërcënimi nga raketat e dronët e saj ndaj Evropës është duke u rritur, sipas një instituti ushtarak.
Bastian Giegerich, drejtor i përgjithshëm i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, tha se ka “pak shenja” se “aftësa e Rusisë për ta vazhduar luftën e saj kundër Ukrainës për vitin e pestë është zvogëluar”, shkruan gazeta “The Guardian”.
Sipas këtij instituti, Kremlini vitin e kaluar për fushën e mbrojtjes shpenzoi 186 miliardë dollarë, një rritje prej 3 për qind dhe shifër që përbën 7,3 për qind të prodhimit vendës bruto (GDP) – më shumë se dyfishi i shpenzimeve nga ShBA-ja si përqindje e GDP-së dhe rreth tri herë më shumë se Britania e Madhe.
Fenella McGerty, eksperte e financave të mbrojtjes në këtë institut, tha se përderisa ekonomia e Rusisë po ngadalësohet, gjë që mund të çojë në “rënie të mundshme” të shpenzimeve ushtarake më 2026, kjo frymë duhet të vihet përballë rritjes së ndjeshme për disa vjet.
Shpenzimet ushtarake “janë rritur për më shumë se dyfish në terma realë nga viti 2021”, theksoi ajo, duke i mundësuar Rusisë që të shpenzojë shumë për pajisje ushtarake dhe rekrutim me qëllimin që t’i vazhdojë sulmet tokësore e ajrore kundër Ukrainës në të ardhmen e afërt.
Nigel Gould Davies, ekspert për Rusinë në këtë institut, tha se ka “shtim të shenjave se shkalla e rekrutimit të ushtarëve nga Rusia ka filluar që të mos i përmbushë humbjet e saj mujore” në fushën e betejës, edhe pse Moska e ka aftësinë për ta zvogëluar numrin e të vrarëve duke e ulur ritmin e ofensivës në vijën e frontit.
Davies, ish-ambasador i Britanisë në Bjellorusi, tha se nëse ky trend vazhdon, në fund mund ta detyrojë Kremlinin që të ballafaqohet me një “moment të së vërtetës”, kur do të rrezikonte një rekrutim të dytë të detyrueshëm dhe shkallën e pakënaqësisë sociale që është parë në rastin e shtatorit të vitit 2022.