Pas ngjarjes së rëndë të 22 shkurtit që ka tronditur qytetin e Civitanovës në Itali, ku një 20-vjeçar, Rikardo Mërkuri u mbyt në det, ka folur babai i tij Mario. Sipas mediave italiane, i ati është i bindur se djali i tij i dha fund jetës në ujërat e akullta të premten e kaluar, pasi besonte se e kishte vrarë nënën.
“Ka menduar se nëna kishte vdekur dhe e bëri atë gjest. Ishte i vendosur”, – ka deklaruar ai për mediat italiane. Sipas familjarëve, mbrëmjen e së premtes ata kishin darkuar së bashku për të festuar ditëlindjen e Rikardos. Më pas, babai ishte larguar nga shtëpia dhe gjatë asaj kohe mes nënës dhe djalit kishte shpërthyer një debat i ashpër.
Sherri kishte përfunduar me agresion fizik nga ana e të riut. Gruaja, Albana Kastrioti, ishte gjetur nga bashkëshorti e shtrirë pa ndjenja në banjë, me dëmtime të rënda në fytyrë.
“E ëma e donte marrëzisht. Edhe kur kishte gabim, ajo gjithmonë e mbronte”, ka rrëfyer babai i tronditur.
Albana u dërgua fillimisht në spitalin e Maceratës dhe më pas u transferua në spitalin rajonal të Torrette, ku pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të kirurgjisë maksilofaciale.
Sipas bashkëshortit, gjendja e saj është përmirësuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, trupi i 20-vjeçarit ndodhet në morgun e spitalit të Civitanovës që prej së dielës.
Familja, me prejardhje shqiptare dhe prej shumë vitesh e vendosur në Pollenza, është e njohur në komunitet. Përveç prindërve, Rikardo lë pas vëllain e madh Alessio dhe gjyshen.