Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari-Lila, ka shprehur optimizëm se do të gjendet një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, duke theksuar se nuk beson që Qeveria do të mbetet në detyrë.
Ajo tha se këtë herë ka vullnet politik dhe komunikim mes partive, ndryshe nga hera e kaluar kur mungonte ky angazhim, duke shtuar se është e bindur që do të arrihet një marrëveshje për presidentin dhe procesi do të ecë përpara pa u bllokuar.
“Unë nuk e besoj se do të jemi qeveri në detyrë, jam e bindur se do të gjendet një zgjidhje për dallim prej herës së kaluar, ku nuk vrehej se kishte vullnet apo komunikim të partive politike”, tha Kusari-Lila.
Ajo foli në veçanti për kandidaturën e presidentes aktuale Vjosa Osmani, punën e së cilës e vlerësoi lart.
Kusari-Lila u shpreh se Osmani e ka mbajtur lartë profilin e Republikës së Kosovës.
“Unë kësaj radhe nuk kam votë në Kuvend, por mendoj që Vjosa Osmani-Sadriu ka bërë një punë shumë të mirë si presidente e Republikës edhe në proceset brenda vendit edhe jashtë vendit”, deklaroi Kusari-Lila në Klan Kosova.