Murat Jashari president? Për profesorin Blerim Latifi, këtë herë kjo ide është më serioze. Kryeministri Albin Kurti ishte te familja Jashari në Prekaz, por aktualisht nuk ka përmendur emra. Për Vjosa Osmanin, e cila po kërkon të mbetet ende në karrigen e presidentes, ai tha se nuk kanë mbledhur nënshkrime, sepse kjo, siç tha ai, do të ishte e dëmshme.
Gazeta Express
Është bërë e zakonshme që në diskursin publik të përmendet emri i Murat Jasharit çdoherë që Kosova duhet ta zgjedhë një president.
Profesori i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës nuk e ka përmendur kurrë këtë si ambicie të tij, por dikush gjithmonë e përmend atë.
Emri i tij u lakua edhe në vitin 2016, para se Hashim Thaçi të zgjidhej president i vendit. Edhe në fund të vitit 2020 kur Thaçit iu desh të jepte dorëheqje nga ajo pozitë. Po përmendet sërish tani, kur Vjosa Osmanit po i përfundon mandati pesëvjeçar si presidente.
Kryeministri Albin Kurti të dielën në mbrëmje ishte në Prekaz të Skënderajt për t’u takuar me Rifat Jasharin, vëllain e komandantit simbol të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit dhe babanë e Murat Jasharit.
“Po, kam qenë mbrëmë te baca Rifat. Kur u takuam për festimet e përvjetorit të 18-të të pavarësisë, besuam që do të kemi mundësi që të qëndrojmë pak bashkë dhe të rrimë, sepse s’jemi parë kaherë. Nuk qe një mundësi e tillë. E kishim lënë të takohemi dhe shkuam atje”, tha ai të hënën, duke iu përgjigjur gazetarëve në oborrin e Kuvendit pas një takimi me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, me të cilin bisedoi për Presidentin, një ditë pasi për të njëjtën çështje kishte biseduar edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën.
I pyetur nëse me Rifat Jasharin kishte folur edhe për çështjen e Presidentit, Albin Kurti shtoi: “Biseduam për zhvillimet politike, biseduam për shumë çështje, mirëpo natyrisht që zgjidhja është në mesin e këtyre tri subjekteve politike”.
Deri më tani, përmendja e Murat Jasharit si kandidat për President ka qenë kryesisht në nivel spekulativ. Megjithatë, këtë herë, sipas profesorit universitar, Blerim Latifi – i cili vjen nga po ai fshat i njohur i rezistencës shqiptare – ideja është më serioze.
“Kemi qenë dëshmitarë disa herë kur familja Jashari është përdorur në këso situatash të problemeve që s’kanë mundur t’i zgjidhin rreth krijimit të institucioneve, dhe unë mendoj që do të ishte e pandershme që të veprohet njëjtë edhe kësaj radhe. Por, kësaj radhe duket se është më serioze kjo ide. Nuk është sikurse ka qenë në të kaluarën. Është më serioze dhe unë mendoj se Albin Kurti është duke tentuar ta bindë PDK-në për një emër të familjes Jashari”, tha ai mbrëmë në Pressing në T7.
Latifi tha se ka “shumë potencial që të gjendet ky konsensus”.
Ai tha se komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari do të duhej të jepte dorëheqje në rast se vëllai i tij, Murat Jashari, zgjidhet president, “sepse është konflikt interesi”.
Kurti theksoi dje se nuk kanë një kandidat për president, siç kishin garuar me Osmanin në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
“Ne si parti nuk kemi pasur kandidat nga radhët tona andaj në vijim ose duhet ta gjejmë një emër të përveçëm që na garanton të jenë së paku dy të tretat e deputetëve që qëndrojnë në sallë dhe votojnë duke zgjedhur një emër të përveçëm në fletëvotim që e hedhin në kuti, më së largu më 4 mars. Ose është tjera që subjektet politike merren vesh për rrugën përpara”, tha ai.
Kur u pyet nëse do ta mbështeste Osmanin si opsion, ai tha se “ne nuk kemi mbledhur nënshkrime për askënd”.
“Ne nuk mund të nxjerrim tash kandidat dhe është e dëmshme nëse nxjerrim kandidat, e ndërkohë që kemi ngelur te numri 66”, tha ai.
Kurti u shpreh optimist se kjo çështje do të zgjidhet, për shkak të “konstruktivitetit të atmosferës në këto takime” dhe “faktit që e kuptojmë plotësisht njëri-tjetrin”. Ai shtoi “zell për zgjedhje të reja nuk shoh”.